Glauk Konjufca ka afat deri më 19 nëntor për të formuar Qeverinë

Të mërkurën ka nisur numërimi prapa për mandatarin e dytë të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për formimin e institucioneve të reja të Kosovës. LVV-ja të martën e propozoi Konjufcën për mandatar për Qeverinë e re të Kosovës. Osmani e mandatoi Konjufcën në po të njëjtën ditë. Mandatari i ri për kryeministër ka afat deri më 19 nëntor për ta paraqitur kabinetin dhe programin qeverisës në Kuvend, dhe për të siguruar të paktën 61 vota. Nëse deri atëherë nuk arrihet votimi me sukses, më 20 nëntor Osmani do të duhet ta shpërndajë Kuvendin, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja.Në një konferencë për media, të martën, Osmani tha se LVV-ja e ka bindur se ka gjasa që ta formojë ekzekutivin, ndërkaq tha se garanci nuk i ka dhënë sepse nuk kërkohet me Kushtetutë.

Nëse do të kishte dy kandidatë, Osmani vlerësoi se asaj do t’i duhej të bindej se kush nga ta ka më shumë gjasa për formimin e ekzekutivit.Ndër të tjera e para e shtetit potencoi se ka konstatuar se verdiktin final në qoftë se i mandatuari për kryeministër i ka votat e nevojshme për shumicë apo jo e japin 120 deputetët e Kosovës. Osmani të martën zhvilloi takime edhe me krerët e partive të tjera më të mëdha, të cilët i thanë se nuk dëshirojnë të propozojnë mandatar. Presidentja vlerësoi se është në interes i përgjithshëm i vendit që të kemi institucione dhe të bëhet çdo përpjekje e mundshme që ato të krijohen në atë mënyrë që të miratohen vendimet e rëndësishme në interes të qytetarëve.

“Ndër qëllimet kryesore ka qenë që të kemi mundësi të miratojmë zgjatjet buxhetore ose edhe buxhetin në tërësi në qoftë se kemi dakordim ndërmjet partive. Mbi të gjitha ta miratojmë Planin e Rritjes nga i cili Kosova përfiton mbi 800 milionë euro. Është edhe marrëveshja me Bankës Botërore në vlerë prej 100 milionë euro, po flasim për gati 1 milion euro”, tha ajo. Sipas Osmanit, në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese thuhet se nëse pas dy tentimeve nuk zgjidhet Qeveria e Kosovës, “atëherë shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme”.

Sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes së tyre, ndërsa Ligji për Zgjedhjet i jep Presidentes deri në 10 ditë kohë për ta bërë shpalljen e datës së zgjedhjeve, nga momenti i shpërndarjes së Kuvendit. Të martën, po ashtu në një konferencë për media, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi se nuk sheh asnjë mundësi bashkëpunimi me partitë opozitare për shkak të atmosferës së “intoksikuar” dhe mungesës së gatishmërisë për dialog. Ai tha se ndaj tij është krijuar një “urrejtje hibride” nga disa elementë të opozitës dhe se tani ata kanë mundësinë të votojnë dikë tjetër për kryeministër.

“Nuk shoh as mundësi teorike për bashkëpunim për shkak të mosbashkëpunimit të tyre. Në këtë atmosferë të intoksikuar nuk mund të ketë dialog. E kam provuar, me letra. Është ndërtuar urrejtje hibride ndaj meje nga disa elementë të opozitës. Tani nuk jam unë, le ta dëshmojnë se interesi i shtetit është mbi interesin partiak”, tha Kurti. Ai shtoi se mandatimi i Glauk Konjufcës si kryeministër ka për qëllim shmangien e vakumit institucional dhe mundësimin e miratimit të buxhetit të ri.

“Meqë opozita thotë se nuk e voton buxhetin me një qeveri në detyrë, atëherë le të kemi një qeveri që nuk është më në detyrë, por e votuar në Kuvend, në mënyrë që të kalojmë buxhetin,” theksoi kryeministri në detyrë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu