Një superfuqi e re ushtarake po lind në Evropë, ky shtet do të trajnojë 500 mijë njerëz deri në 2026

Pas pushtimit të papritur të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, ndryshime të mëdha janë bërë në Evropë, dhe Polonia ka reaguar me një plan të fuqishëm për t’u bërë një superfuqi ushtarake brenda NATO-s. Me rrezikun e një përplasjeje midis Perëndimit dhe Moskës që bëhet gjithnjë e më i mundshëm, Polonia po ndërmerr hapa të jashtëzakonshëm për të mbrojtur territorin e saj dhe për të forcuar mbrojtjen e gjithë rajonit. Qeveria polake ka shpallur një program ambicioz të trajnimit ushtarak për qytetarët, duke synuar të krijojë një ushtri më të madhe se çdo ushtri tjetër evropiane.

Trajnimi për 500 mijë vullnetarë

Polonia ka shpallur një plan të jashtëzakonshëm që ka si objektiv trajnimimin e deri në 500,000 qytetarëve deri në fund të vitit 2026. Ky është një program i quajtur “Gjithmonë i Përgatitur” dhe ka për qëllim të forcojë mbrojtjen kombëtare për të parandaluar çdo mundësi të një pushtimi të mundshëm nga Rusia. Ministri i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, ka theksuar se ky program është për të gjithë qytetarët polakë dhe do të ofrojë mundësi trajnimi për të rinjtë, punonjësit e biznesit, dhe madje edhe për të moshuarit. Nga përvojat tragjike të Ukrainës, Polonia ka kuptuar se, përveç forcës ushtarake profesionale, është thelbësore që të gjithë qytetarët të jenë të aftë të reagojnë ndaj situatave të krizës.

Rezervat e Polonisë

Ky program trajnimi do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët, duke ofruar një gamë të gjerë aktivitetesh, nga kurse bazike sigurie dhe mbijetese, deri te trajnimet për mjekësi, higjienë kibernetike dhe trajnim për mbrojtjen nga kërcënimet moderne të sigurisë. Polonia është duke marrë masa për të siguruar që qytetarët e saj të jenë të gatshëm për çdo skenar, që nga një sulm kibernetik deri te përpjekjet për të destabilizuar sistemin shëndetësor. Seancat do të ofrohen në grupe dhe individualisht, duke përfshirë një numër të konsiderueshëm të popullsisë, me synimin që deri në fund të vitit 2023 të trajnohen rreth 100,000 qytetarë. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk, theksoi se deri në fund të vitit 2026, ky numër do të arrijë në 500,000, duke krijuar një ushtri rezerve të fuqishme që mund të përballet me çdo kërcënim të mundshëm.

Një superfuqi e re ushtarake

Një tjetër qëllim kryesor i këtij programi është ndihma për forcimin e qëndrueshmërisë dhe gatishmërisë të qytetarëve dhe komuniteteve të Polonisë. Pavarësisht se kjo mund të duket si një nismë e madhe dhe e vështirë për t’u realizuar, qëllimi është të krijohet një forcë rezerviste që mund të përgjigjet me shpejtësi dhe efikasitet në rast të një sulmi të mundshëm. Gjatë dekadës së fundit, Polonia ka dyfishuar madhësinë e ushtrisë së saj, duke u bërë forca e tretë më e madhe në NATO, pas SHBA-së dhe Turqisë. Nga 99,000 ushtarë në vitin 2014, ushtria polake ka arritur në rreth 300,000 ushtarë, përfshirë 250,000 ushtarë profesionistë dhe 50,000 territorialë.

Ky zhvillim ka qenë i mundur falë investimeve të mëdha në modernizimin ushtarak dhe partneriteteve të forta ndërkombëtare, përfshirë blerjen e sistemeve Patriot dhe avionëve F-35. Po ashtu, një tjetër komponent kyç në forcimin e ushtrisë polake ka qenë rritja e shpenzimeve për mbrojtjen. Polonia ka arritur të dedikojë një pjesë të konsiderueshme të PBB-së për sigurinë kombëtare, duke shpenzuar 3.93% të PBB-së në vitin 2023, duke u renditur e para në NATO për këtë tregues, përpara Shteteve të Bashkuara (3.24%) dhe Greqisë (3.05%). Rritja e fuqisë ushtarake dhe angazhimi i saj për sigurinë kombëtare e vendosin Poloninë si një shtyllë të rëndësishme të stabilitetit në Evropë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu