Kush ishte i forti i Tiranës që u arrestua ditën e djeshme. I dënuar për vrasje dhe arratisje nga burgu (VIDEO)

Liria për “të fortin” e Yzberishtit, Ilir Avdillari, ka zgjatur vetëm disa muaj.

Pasi përfundoi dënimin për vrasje, e disa muaj shtesë për arratisje nga burgu, 46- vjeçari është vënë sërish në pranga nga Policia e Tiranës. Këtë herë ai është arrestuar si kapoja i një grupi që shiste drogë në zonën e Kombinatit, Yzberishtit e Kasharit.

Me mbiemrin tashmë të ndryshuar, nga Avdillari në Zyberi, 46-vjeçari mbahej prej disa muajsh në vëzhgim nga Antidroga e Tiranës, pasi kishte informacione se në banesën e tij fshihte sasi të konsiderueshme kanabisi, raporton “Panorama”.

Hetimet me metodat speciale kanë vijuar deri pasditen e së shtunës, kur Antidroga siguroi informacionin e nevojshëm për të goditur. Avdillari e gjithë të tjerët që punonin për të ndodheshin në banesën e tij në Yzberisht, duke u bërë gati të lëviznin 5 thasë me kanabis.

Ky ishte momenti i përshtatshëm për të ndërhyrë dhe në këtë mënyrë u krye edhe arrestimi në flagrancë i Ilir Avdillarit, djalit të tij 20-vjeçar, Fabianit, dhe i 3 personave të tjerë. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se gjatë operacionit të koduar “Qelqi”, veç “të fortit” të Yzberishtit e të birit, u arrestua 32-vjeçari Gentian Boçi, Odisjen Sakollari, 24 vjeç, si dhe 17-vjeçari me iniciale D.A.

OPERACIONI

Policia e Tiranës tha dje se Antidroga me mbështetje edhe të Forcave Operacionale, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Qelqi”, duke sekuestruar 30 kg hashash dhe një armë zjarri pa leje, tip “Shotgun”. Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë Ilir Zyberi (Avdillari), Fabian Zyberi (Avdillari), Gentian Boçi, Odisjen Sakollari dhe adoleshenti me iniciale D.A.

Sipas Policisë, arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kryenin shitje të lëndëve narkotike kanabis sativa drejt personave të ndryshëm në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe Kasharit.

“Për këta shtetas kishte informacione policore se posedonin një sasi të konsiderueshme me lënde narkotike dhe këtë sasi e mbanin të fshehur në banesën e shtetasit Ilir Zyberi, ku më pas do të bënin dhe shitjen e saj.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Ilir Zyberi është bërë neutralizimi dhe prangosja në flagrancë e shtetasve të sipërshënuar, të cilët po organizonin shitjen e lëndës së dyshuar”, tha dje Policia.

AVDILLARI

Ilir Avdillari, i njohur si një ndër anëtarët e bandës së Yzberishtit në vitet ’97-’98, ka qenë i dyshuar për të paktën 20 vepra të rënda penale. Megjithatë, dënimin më të rëndë, prej 22 vitesh burgim, ai e mori për vrasje, duke e përfunduar vetëm para disa muajsh.

Avdillari bashkë me vëllezërit e tij, Nazmi e Fatmir Avdillari, ishin anëtarë të bandës famëkeqe të Yzberishtit, që veproi në Tiranën thuajse 20 vjet më parë. Ai ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit italian Stefano Rossi.

Vrasja u krye më 27 janar të vitit 1998, në momentin kur Rossi kishte tërhequr 30 milionë lireta nga banka dhe u ekzekutua vetëm 100 metra larg fabrikës së tij.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu