SHBA në alarm, përse Trump e mblodhi urgjent Këshillin e Sigurimit (FOTO)

Trump ka mbledhur menjëherë Këshillin e Sigurimit, pasi Koreja e Veriut tha se ka testuar “me sukses” një raketë balistike, për të cilën, udhëheqësi Kim Jong Un shprehu kënaqësi të madhe për posedimin e një mjeti tjetër të fuqishëm bërthamor.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Phenjan KCNA tha se raketa Pukguksong-2 është një lloj i ri i armës strategjike, me kapacitet për të bartur koka bërthamore.

Një zyrtar i misionit amerikan në Kombet e Bashkuara tha se SHBA-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, për të diskutuar situatën, takim i cili pritet të mbahet sot në orën 17:00 sipas orës lokale.

Tensionet janë rritur në Gadishullin Korean, prejse Kim, muajin e kaluar, tha se vendi është afër testimit të një rakete balistike interkontinentale.

Zyrtarët amerkanë thanë se kanë gjurmuar provën dhe se nuk paraqet rrezik për SHBA-në.

Testimi i raketës në fundjavë ka qenë i pari i tillë nga Koreja e Veriut prejse presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka marrë detyrën dhe është parë si sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Trumpit.

Gjatë një vizite në Korenë e Jugut, javën e kaluar, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se çdo përdorim i armëve bërthamore nga Koreja e Veriut do ta ketë “përgjigjen e duhur”.
Ai po ashtu rikonfirmoi planet për të ndërtuar një sistem të mbrojtjes raketore në Korenë e Jugut.

Rezolutat e Kombeve të Bashkuara i ndalojnë Koresë së Veriut të kryejë prova me raketa balistike, me qëllim parandalimin e saj që të bëhet fuqi e plotë bërthamore.

Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se prova raketore është “provokim i armatosur”, ndërsa Ministria e Jashtme jugkoreane tha se “provokimet e vazhdueshme të Veriut tregojnë për natyrën iracionale të regjimit të Kim Jong Unit dhe fiksimin maniak të tij për zhvillimin bërthamor”.

Prova e së dielës gjithashtu është dënuar fuqishëm edhe nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, transmeton “REL”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu