Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka reaguar pas postimit të kryetarit të Butelit, Darko Kostovski nga VMRO-DPMNE, i cili fitoret dhe humbjet në zgjedhjet lokale i lidhi me përkatësinë etnike të votuesve, përcjell INA.
Sejdiu theksoi se një qasje e tillë është e gabuar dhe e dëmshme, pasi krijon ndasi të panevojshme dhe nuk i shërben asnjë komuniteti.
“Nëse rezultatet e zgjedhjeve nëpër komuna matin ‘fitoret’ sipas përkatësisë etnike, siç po i interpreton kolegu Darko Kostovski, atëherë del se maqedonasit ‘e kanë kthyer’ Kërçovën, ndërsa ‘e kanë humbur’ Çashkën. Me të njëjtën logjikë, në zgjedhjet e ardhshme shqiptarët do të duhej të garonin për ta ‘marrë’ edhe Komunën e Butelit,” tha Sejdiu.
Ai shtoi se komunat nuk janë pronë e asnjë etnie, por i takojnë qytetarëve, dhe bëri thirrje që fokusi të jetë tek funksionaliteti i institucioneve dhe bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve.
“Qëllimi ynë duhet të jetë krijimi i institucioneve funksionale, bashkëpunim dhe progres për të gjithë, pavarësisht se cilës etni i takojnë,” nënvizoi kryetari i Zhelinës.
Në postimin e tij më parë, Kostovski shkruante:
“Ajo që askush nuk e besonte ndodhi. Për Kërçovën u riparua padrejtësia historike, interesat kombëtare dhe shtetërore mbrohen me linja të kuqe të vendosura. Ndonjëherë edhe në mënyrë agresive, atë që mungonte në të kaluarën.
Do të ketë kritika nga njerëz të ndryshëm, veçanërisht ata që kanë shqetësime irracionale se nuk janë pjesë e historisë. Por kështu ka qenë gjithmonë.
Jetojmë në kohë kur VMRO me motiv të përkushtuar dëshiron të rikthejë dinjitetin e të qenit maqedonas. Kryeministri dhe kreu i VMRO-së, Hristijan Mickoski, luan një rol serioz historik dhe nuk do të ndalet këtu. Kjo është vetëm fillimi.”/INA/










