Fetai: Akrobacionet e Selës nuk përbëjnë befasi

Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai ka reaguar nëpmërmjet një shkrimi drejtuar veprimit të fundit nga ish-partiaku i tij, Ziadin Sela i cili u largua nga koalicioni AKI, transmeton InfoShqip.com

Postimi i plotë

“Akrobacionet e Ziadin Selës nuk përbëjnë më asnjë befasi.

Ajo që po shohim është thjesht kapitulli i fundit i një rruge të nisur mbrapsht që në fillim. Rrugë të cilën e hapi vetë Ziadin Sela, dhe e shtroi Arben Taravari.

Të dy zgjodhën t’i shërbejnë agjendës së Ali Ahmetit, duke harruar një të vërtetë historike: votuesi i Aleancës është antipodi i BDI-së dhe kurrë, për asnjë çmim, nuk pranon të bëhet patericë e saj.

Sot nuk ka më dilema. Kur tradhton parimet, strukturat dhe votën anti-BDI për t’u bërë pjesë e planeve të Ahmetit e të Grubit, fundi është i pashmangshëm: saltoja morale bëhet mortale, dhe të mbaron karriera politike.

Para vetëm dy vitesh, votuesi i Aleancës mori një vendim të qartë si kristali: JO me Ahmetin, JO me Grubin.

Këtë e dinin shumë mirë si Taravari, ashtu edhe Sela. Megjithatë, ata tentuan ta merrnin atë votues me vete, ta mashtronin, t’ia thyenin dinjitetin.

Por votuesi i Aleancës nuk është plaçkë që kontrabandohet sipas qejfit të dikujt. Ata dështuan sepse votuesi ynë nuk nënshtrohet kurrë.

PO-ja për VLEN-in mori 107 mijë vota dhe më pas, 10 komuna. Ne nuk devijuam asnjë milimetër. Ne ruajtëm atë që është më e çmuar: besimin e njerëzve që duan ndryshimin dhe që refuzojnë me kokëfortësi kthimin te e vjetra, te modeli kriminal i BDI-së.

Dera e Aleancës mbetet e hapur. E hapur për të gjithë ata që u lënduan, e hapur për ata që u mashtruan dhe që sot ndjehen të tradhtuar, e hapur për ata që besuan, që duruan dhe që kurrë nuk e ulën kokën, edhe kur të tjerët tentuan t’i thyenin.

Ne ecim drejt. Ne ecim fort. Dhe kjo rrugë nuk ka kthim.” – ka shkruar Fetai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu