Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka reaguar ashpër pas moscerifikimit të Listës Serbe nga anëtarët e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Ambasada e SHBA thotë se përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin e Listës Srpska për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse.
Në reagimin e ambasadës amerikane thuhet se veprimet e tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së përfshirë rinisjen e dialogut strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare.
“Përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin që Lista Srpska të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rinisjen e dialogut tonë strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare”, thuhet në reagim.
Ndërkaq, ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasadori gjerman thotë se procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë.
“Më vjen keq për sjelljen penguese të disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke refuzuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.Procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se dje në votimin ndaras për certifikimin e subjekteve politike, Lista Srpska nuk u certifikua nga anëtarët e KQZ-së ku mori 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.










