Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Nisma pati garuar në koalicion me AAK-në dhe, bashkërisht, arritën të kalonin pragun zgjedhor duke fituar disa deputetë, ku tre i takuan Nismës.
Por marrëdhëniet mes Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt u acaruan deri në prishje shoqërie për shkak të bisedimeve që Fatmir Limaj zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti për mundësinë e formimit të Qeverisë së re, sipas rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Nisma Socialdemokrate do të garojë e vetme, përkundër diskutimeve me LDK-në për mundësinë e daljes me një listë të përbashkët në zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme.
Kjo, sipas analistit Gani Qarri, është një paralajmërim se Nisma do të mbetet përsëri jashtë Kuvendit të Kosovës.
“Kjo e bën edhe më të besueshëm faktin tashmë të ditur paraprakisht, se Nisma përsëri do të mbetet jashtë Kuvendit dhe bashkë me Limajn, përfundimisht do të pensionohet nga jeta parlamentare e Republikës së Kosovës,” shprehet Qarri.
Ai thekson se ligji nuk ia mohon Nismës të drejtën e provës edhe këtë herë, por duke qenë se Fatmir Limaj është në Listën e Zezë të SHBA-ve, pragjet zgjedhore duket se janë shumë të larta.
“Një akrobacion i paarritshëm për absolvim të Limajt me parti, me 28 dhjetor,” thotë Qarri.
Qarri vëren gjithashtu se, që nga ndarja nga PDK-ja, mini-partia e Limajt nuk ka mundur të fitojë vota në përmasat e ëndërruara.
Në zgjedhjet lokale thuhet se ka marrë rreth 30,000 vota, gjë që tregon qartë se edhe në zgjedhjet nacionale të vetme, do të jetë e pamundur për të arritur pragun.
“Nisma dëshmoi se as që ja din hallin vetit, duke mos ditur të balancojë kërkesat me takatin politik që kishte. Këmbënguli me vetëm 3 deputet që ta merrte postin e kryeparlamentarit, edhe pse figuron vetëm si një grupim minor politik, kryesisht në Malishevë. Shkaku i ‘tamahit’ të tepruar, përfundimisht do të bie edhe nën pragun zgjedhor dhe do të mbetet e pranishme vetëm lokal,” thotë Qarri.
Ai shton se kjo duket të jetë pjesëmarrja e fundit për Limajn dhe Nismën në zgjedhjet parlamentare të Republikës së Kosovës.
“Limaj duhet të ngrejë këmbën ‘zhag’ dhe të marrë me vete edhe ish-bashkëortakun e tij të frustruar Ramush Haradinajn, të cilët pas pensionimit nga jeta parlamentare, do të kenë mundësinë të shndërrohen në analistë politikë të ‘preferuar’ nga përvoja e dështimeve,” nënvizon Qarri.
Sipas tij, Limaj pritet të largohet këtë dimër të ashpër nga politika parlamentare, pasi i mori deputetët në qafë që ia besuan fatin dhe nuk kontribuan në krijimin e institucioneve, miratimin e buxhetit të shtetit apo marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Do t’i humbin edhe ato mandate që rastësisht i fituan në koalicion me AAK-në,” thekson Qarri.
Ai paralajmëron se ky do të jetë një dimër i vështirë politik për Limajn.
“Është mirë që z. Limaj ta bëjë zemrën gur dhe t’i kthehet pragut të shtëpisë së vet, derisa thuhet se ka mjete të mbimjaftueshme dhe është i sigurt akoma të hyjë e të dalë pa probleme me drejtësinë e kriminalizuar, e cila pas reformave ndoshta mund t’i mbushet mendja një ditë, që në rast të gjetjes së fakteve inkriminuese, ta dërgojë për banim nën përkujdesjen e ligjit, ndokund tjetër,” përfundon analisti Gani Qarri.










