NATO-ja edhe një herë e lë në duart e kosovarëve të ardhmen ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, raporton KTV.
Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë, Gjeneral Curtis M. Scaparrotti, në Prishtinë tha se transformimi i FSK-së në një armatë është e drejtë e Kosovës, por sipas tij, FSK-ja edhe në këtë formë është profesionale dhe e aftë për të vazhduar punën në bazë të mandatit që ka.
Por, ai nuk është përgjigjur lidhur me atë se a do të ketë marrëveshje me NATO-n që forcat e FSK-së të kalojnë në veri të vendit.
Gjenerali Scaparrotti tha se ka takuar të gjithë liderët vendorë, ambasadorët e akredituar në Kosovë e po ashtu edhe strukturat e sigurisë.
Rreziku më i madh që i kanoset Kosovës, sipas tij, është që ajo të largohet nga rruga e rezolutës 1244 dhe të heqë dorë nga dialogu.
Ai ka përsëritur fjalët e sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, se stabiliteti i Ballkanit është rol kyç në stabilitetin e Evropës./koha