Lëvizja BESA tashmë është shndërruar në një prej faktorëve kryesor të politik bërjes në Maqedoni. Numrat e saj do të jenë vendimtarë për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë. Votimi i saj pro ose kundër Qeverisë do të garantonte edhe stabilitetin qeverisës. Mirëpo, ditë më parë portali Sakte.net nga burime të veta mësoi se kjo çështje nuk do të jetë aq e thjeshtë, të paktën për aq kohë sa BDI do të jetë pjesë e qeverisjes.
“Ne kemi deklaruar se deputetët tanë do të nënshkruanin për mandatarin i cili do të pranonte parakushtet themelore për të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, mirëpo kjo nuk nënkupton se ne do ta votonim edhe qeverinë e re, aq më tepër kur pjesë e saj do të jetë ajo parti shqiptare që i solli shqiptarët në gjendje që të votojnë edhe për një parti maqedonase vetëm që më mos t’i çoj Ali Ahmeti tek Nikolla Gruevski. Dalja në skenë e Lëvizjes BESA e ka ndryshuar përgjithmonë realitetin politik në Maqedoni. Ridefinimi i shtetit është domosdoshmëri. Dhe në këtë pikë jemi të pa kompromis. Sigurisht, këtu nenkuptohet edhe pavarësia e gjyqësorit të cilit duhet krijuar parakushte që të ndjek të gjitha figurat e implikuara në krim e korrupsion. Vetëm atëherë mund të diskutohet për nënshkrimet e deputetëve të Lëvizjes BESA për formimin e Qeverisë. Në të kundërt, nuk ka asnjë kuptim vazhdimi i një qeverisje me protagonist të kompromentuar në çdo aspekt”, është deklaruar për portalin Sakte.net në kushte anonimiteti një zyrtar i lartë i Lëvizjes BESA, i cili ka paralajmëruar se “ata që bëjnë dasem para kohe”, i kanë bërë gabim përllogaritjet.
Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes BESA, Biall Kasami kishte deklaruar për sakte.net: “Votuesit dhe përkrahësit e Lëvizjes BESA janë shumë të qartë në konsistencën e qëndrimeve dhe parimeve tona politike. Sigurisht se kjo sjellë edhe një mendësi të re politike, e cila është vështirë e kuptueshme për ata, që thuajse mision të vetëm e kishin nënshtrimin karshi partnerit maqedonas në fillim për leverdi personale, e tani për ta shpëtuar lëkurën e tyre politike. Parimet tona për pjesëmarrje në qeveri janë të njohura dhe të deklaruara qysh nga koha e fushatës elektorale. Parakushtet themelore që BESA të diskutojë për mundësinë e përfshirjes në qeveri janë tri: se BESA pranon të marrë pjesë në qeverisje vetëm nëse në të nuk ka figura politike të inkriminuara dhe të dyshuara nga Prokuroria Speciale Publike dhe afera të tjera që e kanë dëmtuar interesin publik; BESA pranon të jetë e pjesë e bisedimeve për qeverisje vetëm nëse pranohet diskutimin për RIDEFINIMIN e sistemit juridiko-kushtetues të shtetit dhe se BESA do të pranojë të bëhet pjesë e qeverisjes vetëm nëse marrëveshja qeveritare do të jetë transparente për publikun dhe e afatizuar. Mendësia e skandaleve të përgjimeve është diçka që i përket së kaluarës. Ne nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që ata protagonistë sot të paraqiten si shpëtimtare dhe t’i shpërlajnë mëkatet politike. Është koha e një gjenerate të re politikanësh, pa hipoteka, të cilët do ta avancojnë veçanërisht çështjen shqiptare, që aq shumë e dëmtuan ata që nëpërkëmbën thuajse çdo gjë në emër të përfitimeve personale.”