Edhe sonte protesta kundër platformës shqiptare dhe koalicionit të ri

Edhe për sonte në Shkup janë paralajmëruar protesta nga lëvizja joformale “Të bashkuar për Maqedoninë” me porositë të mos goditen themelet e shtetit dhe të mos pranohet platforma e partive shqiptare. Protestuesit mbrëmë qëndruan para Qeverisë dhe më pas Kuvendit duke kërkuar respektimin e Kushtetutës, mosndryshimin e emrit dhe mospranimin e platformave që sipas tyre janë të hartuara për interesa të huaja. Igor Durlovski, njëri nga organizatorët e protestës theksoi se është tejkaluar vija e kuqe, por vija kuq e verdhë kjo, duke simbolizuar ngjyrat e flamurit të vendit. “Nuk do të lejojmë ndarjen e Maqedonisë përmes aplikimit të dygjuhësisë. Nuk do të kalojë kjo. Nuk do të pranojmë platforma të hartuara për interesa të huaja për ndarjen e vendit”, theksoi Durlovski.

Protestuesit e tjerë thane se kishin dalur për të shprehur revoltën e tyre kundër ndryshimit të Kushtetutës, aplikimit të gjuhës shqipe si gjuhë të dytë zyrtare në vend dhe kundër siç thanë federalizimit.

“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ti bashkëngjiten kësaj proteste, për të ruajtur vendin tonë. Nuk do të lejojmë që të na shkatërrojnë shtetin tonë. Shqiptarët po duan të bëjnë 10 shtete në Ballkan, ndërsa ne kemi këtë shtet”, theksoi njëra nga protestuesit. Gjatë protestës pati thirrje antishqiptare, por organizatorët vazhdimisht tentuan që ti qetësojnë protestuesit duke apeluar jo thirrjeve të tilla. Organizatorët nga lëvizja “Të bashkuar për Maqedoninë” theksuan se çdo ditë në mbrëmje do të dalin në protesta. (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu