Presidenti i Maqedonisë, Gjorgji Ivanov, në një konferencë për shtyp ka deklaruar se pranimi i platformës shqiptare është vepër penale, duke drejtuar akuzat në adresë të LSDM-së.
Ai ka deklaruar gjithashtu se në respekt të Kushtetutës, nuk do t’i japë mandatin askujt që pranon platformën e një shteti tjetër.
Dëshiroj t’ju bind Ju qytetarëve, të jeni të qetë sepse gjithnjë derisa unë të jem President i Republikës së Maqedonisë nuk do t’i jap mandatin asnjë njeriu dhe asnjë partie politike, që angazhohet apo që në programin e saj ka një platformë e cila rrënon sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë. Thellë besoj se këto janë vlerat bazë me të cilat askush nuk ka të drejtë të tregtojë dhe nuk mendoj të heq dorë nga to – tha Ivanov.
Pas zgjedhjeve ishim të befasuar nga një Platformë politike nga një vend i huaj. Platforma është dokument pas-zgjedhor i përpunuar dhe firmosur në një vend të huaj në kabinetin e një funksionari të jashtëm dhe me ndërmjetësim të Kryeministrit të një vendi tjetër.
Përmbajtja e platformës është edhe jashtë Kushtetutës dhe jashtë Marrëveshjes së Ohrit. Me këtë Platformë rrezikohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit duke e vënë kështu shtetin në pozitë që të jetë i varur nga një shtet tjetër. Me këtë Platformë republika e Maqedonisë është e kushtëzuar derisa sovraniteti dhe pavarësia e saj janë të rrezikuara – shtoi Ivanov, sipas të cilit procesi i koalicionimit pas-zgjedhor dhe formimi i qeverisë së re u bë peng i kësaj Platforme pas-zgjedhore të një shteti të huaj.
Në vend që definitivisht të dilnim nga kriza politike, për shkak të kësaj platforme ne për fat të keq po futemi në një krizë edhe më të thellë e cila vë në pikëpyetje themelet shtetërore të Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj – shtoi më tej presidenti i shtetit Gjorge Ivanov.