Po të mos ishte Platforma e partive shqiptare, VMRO-DPMNE dhe BDI do të kishin formuar Qeveri të përbashkët. Këtë e pranoi përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së Vlladimir Peshevski, në emisionin debativ Arena në TV SHENJA. Peshevski pranoi se përmes retorikës nacionaliste kjo parti merr votat në elektoratin e saj, por nga ana tjetër tha se për shqiptarët ka bërë më shumë se të gjitha partitë shqiptare bashkë.
“Në situatën e tanishme, po të mos ndodhte platforma, VMRO-DPMNE dhe BDI do të bënin Qeveri, unë këtë ua them me bindje. Për shqiptarët në Maqedoni, unë jam apsolutisht i sigurtë dhe 100 për qind i bindur se koalicion më të mirë se i VMRO-DPMNE-së me cilëndo qoftë parti shqiptare nuk do të ketë, për shkak se VMRO-DPMNE ka dëshmuar se edhe krahas retorikës të ngurtë që e kemi se problemet reale në teren i zgjidhim edhe për shqiptarët edhe për maqedonasit”, tha përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Vlladimir Peshevski.
Gazetari Isen Saliu tha se qëndrimi i përfaqësuesit të VMRO-DPMNE-së, dëshmon që sa pak kanë punuar deri më tani partitë shqiptare gjatë qeverisjes së tyre.
“Unë do të isha pajtuar me atë që e tha zoti Peshevski, se ndoshta është e saktë që, VMRO-DPMNE ka bërë më shumë se gjitha partitë shqiptare bashkë, por kjo nuk tregon se sa shumë ka bërë VMRO-DPMNE-ja për shqiptarët, por tregon se sa pak kanë bërë partitë shqiptare për shqiptarët, sepse diskriminimi gjatë gjithë kohës së qeverisjes është evident, mund të debatojmë 24 orë për këtë çështje, por realiteti e konfirmon atë”, tha gazetari Isen Saliu.
Analisti Agim Jonuz, potencoi se me kundërshtimin e platformës, bëhet devijimi i vëmendjes së opinionit nga krimi.
“Puna më e pakëndshme dhe e paedukatë që ndodh është ajo që në mënyrë hipotetike të gjithë në shtet flasin për një mega kriminalitet i cili është ende i pa dëshmuar dhe i pahetuar deri në fund dhe as që ka tendencë të shkohet deri në fund që të dihet dhe kush ka qenë në të drejtë dhe kush ka qenë gabim”, tha analisti Agim Jonuz.
Ndër të tjera, përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Vlladimir Peshevski, tha se ato do të këmbëngulin që të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme për shkak se ata janë fituesit real të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./shenja