Reka: Shqiptarët nuk lejuan të deportohet asnjë hebre

Mbushen sot 74 vjet nga dita kur Maqedonia lejoi deportimin e 7.144 hebrenjve në kampin e përqendrimit, “Treblinka”.

Ky përvjetor shënohet çdo vit me ndjenjën e fajit se vendi u bë bashkëpjesëmarrës, ndoshta edhe pa vetëdije, në atë që njihet si shfarosja në masë e një populli të tërë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të mbijetuarit kujtojnë momentet e tmerrit.

“Jam e lindur në Shkup, në vitin 1939. E gjithë familja kanë qenë këtu në Monopol, ndërsa mua më kanë shpëtuar një familje dhe jam rritur si një krishtere deri në moshën 13 vjeçe. Më vonë kam kuptuar se jam hebreje. E gjithë familja përfundoi në “Treblinkë”. Deri në vitin 2014 janë fshehur të gjitha të dhënat për ta, nuk e di përse, vetëm atë vit kuptova se kush jam në të vërtetë dhe kush kanë qenë prindërit, gjyshërit, xhaxhallarët e mi etj. Asnjëri prej tyre nuk ka mbetur gjallë”, deklaroi Bienvenita Behar.

Po në këtë datë përkujtohet edhe një tjetër fakt i rëndësishëm. Shqipëria është i vetmi vend në botë që nuk dorëzoi asnjë hebre, përkundrazi. Mbreti Zog në atë kohë dha urdhër që edhe zyrtarisht hebrenjtë të pajiseshin me pasaporta shqiptare dhe shumë familje i bëri ata anëtarë të tyre të afërm dhe i shpëtuan nga vdekja e sigurt.

“Ne si shqiptarë jemi krenarë për arsye se Shqipëria është pothuajse i vetmi vend në botë dhe Europë që i ka mbrojtur hebrenjtë, falë bujarisë dhe shpirtit të madh të shqiptarëve për të qenë gjithmonë pranë më të dobëtit dhe ky gjenocid të mos përsëritet në trojet shqiptare. Me këtë rast dua që të evidentoj faktin se Shqipëria është vend që i ka mbrojtur hebrenjtë dhe kjo pasqyrohet tani edhe në muzeun jashtë Varshemit, në Izrael”, theksoi ambasadori i Shqipërisë në RM, Fatos Reka, njofton TVM2.

“Nga kjo mund të marrim një mësim dhe t’u japim porosi politikanëve që nga një përqendrim të vëmendjes për çështje politike klanore dhe kromogjene mund të vijmë me një situatë që të vijë në realizimin e shkatërrimit dhe asgjësimit të qenies njerëzore. Ndërsa nga ana tjetër, unë jam shumë i kënaqur që populli shqiptar, në momente më të vështira, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte popull dhe shteti i vetmi shpëtim për popullatën hebreje në botë”, u shpreh drejtori i ITKSh-së, Skender Hasani.

Përvjetori i kësaj ngjarje është shënuar me aktivitete të shumta. Janë vendosur lule në vendin e kampit të përkohshëm para “Kombinatit të duhanit”, si dhe para varrezave të hebrenjve dhe partizanëve në Butel.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu