Kryetari në largim i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski, ka pranuar 67 nënshkrimet e deputetëve të shumicës parlamentare, të cilat kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive.
“Sot në parlament është dorëzuar kërkesa e 67 deputetëve për të caktuar vazhdimin e seancës konstituive të përbërjes së nëntë parlamentare, e filluar dhe e ndërprerë më 30 dhjetor, 2016.
Për këto arsye dhe pas konsultimeve me përfaqësuesit e autorizuar të partive politike të përfaqësuara në parlament, caktova mbledhje koordinuese të martën, 21 mars 2017, në ora 12.00” thuhet në deklaratën e kabinetit të Veljanovskit.
Në këtë njoftim theksohet se në takimin koordinues duhet të vërtetohet përbërja e Komisionit Kuvendor për Zgjedhje dhe Emërime, që do të shërbejë si bazë për caktimin e vazhdimit të seancës konstituive. /albeu