Shkak për të rikujtuar këtë figurë emblematike të patriotizmit dibran, u bë një status në facebook, kur dikush, me të drejtë, thoshte se gjyshi i Mesila Dodës ka qenë patriot, dhe një tjetër, me pa të drejtë thoshte jo.
Po, është e vërtetë se gjyshi i Mesila Dodës ka qenë një ndër udhëheqësit e Luftës së Kolesjanit, të nëntorit të vitit 1912, madje është dhe dëshmori i saj. Edhe Baftjar Doda, ishte prijës shumë i njohur popullor,po nga kjo derë famëmadhe, ishte pjesëmarrës në luftën e Kolesjanit, po ai nuk është gjyshi i Mesilës. Xhaferi dhe Baftjari ishin kushërinj.
Ja kush ishte Xhafer Doda:
Qe një ndër prijësit më popullorë në luftën për liri e pavarësi. Ishte i biri i Xhafer Dodës së parë, që e la barrë në bark. U lind në vitin 1838, në fshatin Gjurrë -Reç. Xhafer Doda qe zot i shtëpisë së madhe të Dodajve, kur Dodajt banonin të gjithë në Pulsh e në Draj. Në moshën 25 vjeçare, Bajrami dhe Isufi i besuan Xhaferit drejtimin ekonomik të shtëpisë së madhe të Do-dajve. Familja, ku lindi dhe u rrit, ishte me tradita patriotike, nga e cila dolën figura patriotike, si Isuf e Bajram Doda, që dhanë një ndihmesë të çmuar në luftën që u zhvillua për mbrojtjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër forcave ushtarake të Perandorisë Osmane të komanduara nga Dervish Pasha.
Duke jetuar në një mjedis të tillë, Xhaferi u brumos me ndjenjat e larta të atdhedashurisë, të cilën e konkretizoi në jetë me mobilizimin, organizimin dhe udhëheqjen e popullit, kryesisht atë të Reçit e të Dardhës në luftë kundër pushtuesve. Ai, në krye të luftëtarëve reçjanë, mori pjesë në luftë kundër ushtrisë pushtuese të komanduar nga Xhavit Pasha, në Lumë. Kur, në prill të vitit 1910, artileria turke filloi bombardimet me top të shtëpisë së patriotit Haziz Xheka në Gjoricë, Xhaferi, në krye të malësorëve të Reç e Dardhës mori pjesë në këtë luftë.
Pa u ftohur armët nga lufta që u zhvillua në këtë betejë, mbi 15000 luftëtarë dibranë u nisën për në Lumë nën kryesinë e Mersim Demës, Sinan Lleshit, Selman Alisë, Baftjar e Xhafer Dodës,Llan e Halil Kaloshit e të tjerë.Këta luftëtarë u ndeshën me ushtrinë e Shefqet Turgut Pashës në Qafë të Prushit e Has, ku u bë luftë e përgjakshme, por, armiku, duke qenë më superior në forca ushtarake dhe i pajisur me armatimet moderne të kohës, nga Luma mësyni trevën dibrane. Më 17, 18 e 19 qershor 1910 luftëtarët dibranë mbrojtën heroikisht Kalisin dhe Reçin, duke dëmtuar armikun në forcat ushtarake e materiale.
Gjenerali famëkeq Turgut Pasha, për të nënshtruar popullin e Dibrës dhe për t’u hakmarrë bëri operacion duke zënë, burgosur dhe internuar krerët e kryengritjes dhe luftëtarët popullorë trima në Manastir dhe Podrum-Kala të Turqisë, ndërsa dogji shtëpitë e Llan Kaloshit, Selman Alisë, Baftjar e Xhafer Dodës. Dy të fundit i strehuan familjet e tyre jashtë trevës dibrane.Xhafer Doda organizoi dhe udhëhoqi malësorët e Reçit e të Dardhës për fillimin e kryengritjes së përgjithshme të Marsit 1912 në Dibrën e Poshtme nën kryesinë e Selman Alisë dhe Shaban Lushës. Lufta, fillimisht, u zhvillua në kufirin Arras-Kodër Leshe. Artilerie turke, e cila ishte vendosur në Ostush, në Sukë (kodrat e Arrasit) qëllonte çdo ditë pozicionet e luftëtarëve dibranë dhe të gjithë fshatrave përreth. Predhat e topave vranë luftëtarin trim Musa Xhediku nga Dardha.
Shpërthimi i Luftës së Parë Ballkanike, më 8 tetor 1912, e gjeti kryengritjen e përgjithshme shqiptare në fitore të njëpasnjëshme dhe po bënte shumë të sigurt fitimin e lirisë e pavarësisë shqiptare. Lufta e popullit shqiptar për liri e pavarësi kombëtare i tronditi monarkitë fqinje, sepse humbën shpresat e tyre për ta zhvatur e copëtuar. Synimi dhe aleancat mes monarkive të tjera qe zhdukja nga harta e Ballkanit e Shqipërisë. Në këtë kohë u hodhën si bisha në Shkodër ushtritë e Krajl Nikollës të Malit të Zi dhe Krajl Petros, si dhe ato të Greqisë në Follorinë të Greqisë.
Në këto kushte malësorët dibranë u mobilizuan, si gjithnjë, për të luftuar për liri e pavarësi. Mbi 1000 burra të Dibrës së Epër, të udhëhequr nga Mersim Dema në Follorinë e Prebicë të Manastirit, ndërsa mbi 4000 të tjerë nga Dibra e Poshtme, të udhëhequr nga Demë Përleka, Selman Alia e Xheladin Seferi për 7 muaj rresht luftuan kundër 55 mijë forcave ushtarake serbo-malazeze. Ndërkohë, mbi 600 luftëtarë të Dibrës së Poshtme ndërruan drejtimin për Lumë, të udhëhequr nga patriotët Xhafer Doda, Cen Daci e Suf Xhelili. Më 8 nëntor 1912, Luma qe sulmuar prej 16 mijë forcave ushtarake serbe. Vetëm në Bicaj kishin arritur 12 batalione. Beteja më e përgjakshme u zhvillua në Qafë të Kolesjanit, ku armiku la shumë të vrarë dhe u detyrua të tërhiqet, ndërsa nga luftëtarët dibranë u vranë Halil Selmani, Rexhep Laçi e Rexhep Troci nga Reçi, Selman Lushi prej Dardhe, Sehit Rina prej Muhurri, Beqir Bushi, Dan Sala, Osman Kariçi, Rushit Presaku prej Çidhne e të tjerë. Një ndihmesë të dukshme në këtë betejë dha Xhafer Doda. Luftëtarët pjesëmarrës në këtë betejë thurën për të këngën:”Kur vikati Xhafer Doda/Dridhen male e dridhen kodra./Xhafer Doda po len nam, /Po u hyn serbëve në istikam.. … ”
Komanda serbe,duke parë te Xhafer Doda një luftëtar trim, organizator dhe udhëheqës popullor në luftë kundër armikut, në kthimin për në Dibër, më 1912, e gjurmoi Xhaferin dhe e arrestoi në shtëpinë e tij. Pastaj, e dërguan në Kolesjan, në vendin ku u zhvillua beteja më e përgjakshme dhe për hakmarrje e therën me bajoneta. Në këtë kohë, Xhafer Doda qe shumë i pasur. Ai kishte 300 dele, 5 mushka dhe 20 qe pune, të cilat nuk i mori ushtria serbe. 50 koshere bletësh ia dëmtuan dhe morën edhe mjaltin tyre, të cilin e hëngrën ushtarët, ose e derdhën. Të gjithë mallin tjetër ia morën serbët, të cilët ngarkuan te kulla e Xhaferit 15 mushka me mall, si: sixhade, qilima, mutafë, filxhanë, enë bakri: si kusi, tepsi, kazanë etj. Këtë mall ia shpërndanë popullsisë, duke filluar nga Tharku e deri në Kukës. Xhafer Doda kishte katër mullinj bloje, tre nga të cilët ua dha tri fiseve për t’i administruar, ndërsa një e administroi vetë dhe pas tij e administroi Halimi. Ai kishte, gjithashtu, edhe valanicën që përdorej për të përgatitur shajak. Ndaj, këtë prijës popullor, populli e kujton dhe e nderon për aktin e tij patriotik për liri e pavarësi kombëtare, si dhe institucionet shtetëror e kanë dekoruar për veprimtari patriotike e atdhetare. U vra nga serbët në vitin 1912.
Fatos DACI, autori i monografisë “Burrat e mëdhenj të Dodajve”