Fatos Nano, ish-kryeminstër i Shqipërisë, është besnik i makinave super luksoze “Maserati”, ndër markat më të shtrenjta në botë. Xhoana Nano, bashkëshortja e ish-kryeministrit Fatos Nano, lëviz me një fuoristradë “Maserati” dhe me shofer. Ndërkohë i shoqi, Fatos Nano, lëviz me një makinë po kaq luksoze, tip veturë, të markës “Maserati”.
Si gjithmonë, targa e tij e preferuar është 007, të cilën e ka në të dyja makinat e familjes. Kësaj here ai është fotografuar me të shoqen dhe dy makinat e tyre, në zonën e ish- Bllokut.
Dy makinat superluksoze të parkuara pranë njëra-tjetrës kanë rënë menjëherë në sy të kalimtarëve, edhe pse duhet thënë se në Tiranë tashmë makinat luksoze nuk mungojnë.
Por prezenca e ish kryeministrit pranë tyre, ishte një arsye më shumë për të pasur kuriozitet. Kujtojmë se Fatos Nano nuk është më pjesë e politikës që prej vitit 2009, kur dhe ishte deputet i Grupit të PS, shkruan Panorama.
Ka pasur ndonjë dalje sporadike në media, ku sulmonte pasardhësin e tij, kryetarin e PS-së Edi Rama. Vazhdimisht ka pasur spekulime mbi mundësinë e rifutjes në politikë të Nanos, ashtu siç thuhej vazhdimisht se ekziston një grup i fortë pro Nano brenda Grupit të PS, që mund të quhen ndryshe edhe të pakënaqurit nga lideri i ri Rama.
Megjithatë, të gjitha këto kanë mbetur thjesht fjalë, pasi Nano duket që nuk ka ndërmend t’i rikthehet politikës, as edhe thjesht për të dhënë mendimin e tij mbi aktualitetin apo për tema të rëndësishme ku jo rrallëherë bëhen pjesë të debatit ish-kryeministra apo ish-presidentë.
Ndërkohë ai ka zgjedhur jetën e qetë dhe luksoze, pasi jeton në një vilë në një rezidencë në Lundër dhe bën një jetë me udhëtime dhe qejfe të tjera, që kërkojnë jo pak para./albeu.com/