Komuna Qendër ka stopuar projektin e njohur “Shkallët spanjolle” që ishin planifikuar për tu ndërtuar në kuadër të projektit “Shkupi 2014”. Fituese e truallit dhe realizuese e projektit ishte kompania “Amadeus Group” me pronar shqiptar që jeton në Francë, informon INA.
Kompania do të ndërtonte ndërtesën me stil barok, në një hapësirë prej 1046 metrave, ku ishte paraparë edhe ndërtimi i një objekti komercial. Kompania për këtë ka paguar 1,5 milion euro për parcelën.
Por Këshilli i komunës Qendër, gjegjësisht këshilltarët e LSDM ndërprenë realizimin e këtij projekti, derisa i dhanë dritë jeshile ndërtimit të projektit të “Rrotës Panoramike” që është mbi 20 milionë euro, me paratë e qytetarëve, pasi që fondi i siguruar është nga Qyteti i Shkupit, Ndërmarrja e Transportit Publik.
Me 12 vota “për”, nga grupi këshillues i udhëhequr nga LSDM-ja dhe 11 “kundër”, janë anuluar planet urbanistike, të cilat u miratuan nga përbërja paraprake e Këshillit të Komunës Qendër, në vitin 2012-të, informon INA.
Kryetari i Komunës, Zhernovski tha se me anulimin e Planeve të Detajuara Urbanistike (PDU) është që të intrvenohet në lokacionet në të cilat janë parashikuar ndërtime të reja, por nuk është filluar akoma ndërtimi.
Një nga këto ndërtime është garazha shumëkateshe përballë Muzeut të qytetit të Shkupit e cila nuk ka filluar të ndërtohet sepse akoma janë në rrjedhë procedurat gjyqësore për tokën. Nuk kanë filluar të ndërtohen as “shkallët spanjole” në Sheshin e Maqedonisë. Rrota panoramike do të vazhdojë të ndërtohet veçse është filluar ndërtimi. Por, u ndërpre edhe ndërtimi i rrugës shërbyese në Shëtitoren 13 nëntorit.
Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së paralajmëruan se vendimi përfundimtar do ta vendosin gjykatat më të larta.
Por si u zbulua se projekti ishte i fituar nga biznesmeni shqiptar
Në një bisedë midis ministrit Mile Janakievski dhe kryeministrit Nikolla Gruevski, nga materialet e përgjimeve, bisedohet për shitjen e një toke shtetërore për një person që supozohet se është shqiptar e që kishte jetuar në Francë, por që pas 30 viteve ishte kthyer në Shqipëri. Këtu dëgjohet biseda e tyre se si ata nuk lejojnë që një biznesmen të investojë në pjesën qendrore të Shkupit.
Toka me hapësirë mbi 1000 metra katrorë i takon familjes së nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu. Aty ishte shtëpia e saj, në sheshin e sotëm të Shkupit.
Ja edhe pjesa e bisedës:
Mile Janakievski: Të presim takimin me atë që është i interesuar, për atë personin që të thash dhe që është i interesuar ?
Nikolla Gruevski: Po, por a e di nga cili vend vjen? A duhet lejuar për të hyrë, këtu në shesh? Pastaj ata do të inkurajohen dhe do të hyjnë në shesh, e ke të qartë. Tjetër është që të hyjë përskaj Vardarit, në Kala apo tek Stacioni Hekurudhor dhe tjetër është të hyjë në qendër.
MJ: Por ai ka 30 vite që jeton në Francë, nga atje e ka origjinën… (supozohet Shqipëria)
NG: Nga atje a…?
MJ: Si fëmijë ka shkuar në Francë dhe 30 vite ka jetuar atje dhe sërish kthehet në Shqipëri.
NG: Mysliman apo katolik është.
MJ: Katolik
NG: Ai që e ka Radikën nuk është katolik, por ortodoks, hotelin Radika e kam fjalën.
MJ: Katolik është dhe i dashuruar në barok. Do të thotë se njeriu me titull dhe me profesion është artist.
NG: Aha, artist do të thotë, për atë ai është aq i dhënë pas barokut.
Kjo bisedë ka të bëjë me ndërtimin e shkallëve të stilit spanjoll dhe të një hoteli të stilit barok në një hapësirë prej 1.046 metra katror, pikërisht në pronën ku gjendet pasuria e nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza. Kjo tokë iu shit një kompanie tjetër. /INA