Një italian 20-vjeçar ka rënë pre e një dhune të pashembullt nga disa shqiptarë.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi në Romë rreth orës 02:00 të mesnatës në një lokal pranë Miro Alatri, jashtë një lokali nate, ku i riu italian kishte shkuar së bashku me të dashurën e tij.
Italiani është identifikuar si Emanuele Morganti dhe sipas dëshmive ai është konfliktuar fillimisht me një shqiptar e më pas debati ka përshkallëzuar në dhunë fizike.
Në sherr janë hedhur dhe miqtë e shqiptarit, të cilët e kanë goditur me shufra hekuri në kokë italianin, të cilit i kanë shkaktuar hemorragji cerebrale.
Aktualisht ai ndodhet në spitalin e Romës në gjendje kritike për jetën, pasi u transportua me helikopter urgjent.
Shqiptarët e përfshirë në këtë sherr janë arrestuar, por deri tani nuk bëhen me dije identitetet e tyre.
Karabinierët janë duke pyetur dëshmitarët për të marrë të dhëna mbi atë që ndodhi dhe arsyet që çuan te sherri, edhe pse paraprakisht dyshohet se shqiptari ka ngacmuar të dashurën e italianit dhe kjo ka sjellë nisjen e sherrit.
Mediat italiane e kanë cilësuar ngjarjen një harbutëri të pazakontë, që ka tronditur opinionin italian. /Blitz.al/