Ndërkombëtarët qortojnë ashpër VMRO-në për bllokimin e punës së Kuvendit

Faktori ndërkombëtar ka drejtuar kritika të ashpra ndaj VMRO-DPMNE-së për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Maqedonisë, me atë që u bënë thirrje partive politike në vend që sa më shpejt të mundësojnë zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, raporton Alsat-M.

“Bëhet fjalë për një sëmundje fëmijërore që po bllokon punën e Parlamentit. Në Kuvend ka filluar një proces për zgjedhjen e kreut të parlamentit. Nga zgjedhja e tij do të fillojë edhe dialogu në kuadër të institucioneve, të Kushtetutës. Presidenti foli, por foli vetë. BE-ja e tregoi qëndrimin e saj përmes përfaqësuesve që më parë ishin në Shkup. Shprehëm keqardhje edhe për mosgatishmërinë e presidentit të shtetit për t’i takuar ata. Përshtypja jonë është që disa parti politike jo gjithnjë posedojnë vullnetin politik për dialog institucional”, deklaroi për Alsat M Christian Timonier, ambasador i Francës.

Diplomati francez, gjithashtu theks të veçantë i vendosi edhe zhbllokimit sa më të shpejtë të proceseve demokratike, në mënyrë që të mundësohet organizimi i zgjedhjeve lokale dhe vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale Publike.

Një reagim i ashpër lidhur me krizën politike në Maqedoni ka ardhur edhe nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Shkup Charles Garret.

“Zvarritja e procesit të zgjedhjes së krye-parlamentarit pengon anëtarët e parlamentit, si përfaqësues të popullit të bëjnë punën e tyre. Kryetari Ivanov, duhej të ia jap mandatin grupit që përfaqëson shumicën në Parlament. Deri më tani, ka pasur shumë vonesa të panevojshme. Bllokimi i Parlamentit do ta bllokojë funksionimin e shtetit si një i tërë. Qeveria duhet të formohet urgjentisht”, tha Garret.

Njëjtë kanë reaguar edhe zyrtarët e lartë të Brukselit, shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogerini dhe komisioneri për zgjerim Johanes Han duke përsëritur disa herë apelet për respektimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re./Alsat-M/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu