Kushtetuesja të mërkurën vendos për mandatin e kryetarëve të komunave

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë në një seancë të cilën do ta mbajë të mërkurën më 10 maj, pritet të shqyrtoj nismat për shfuqizimin e dy neneve nga ligji për Vetëqeverisje Lokale dhe Kodi Zgjedhor, të cilët do t’u mundësojnë kryetarëve të komunave dhe këshilltareve komunalë të ushtrojnë funksionet deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjykata Kushtetuese ka publikuar në faqen e saj të internetit njoftimin, se në të njëjtën seancë do të vendoset edhe mbi mundësinë që të fillojë subvencionimi i bujqve.

Nismat për vazhdimin e mandatit të kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve komunalë janë parashtruar në Kushtetuese nga Ministria për Vetëqeverisje Lokale, Ministria e Drejtësisë, dhe nga Kongresi Botëror Maqedonas.

Zgjedhjet lokale duhej të mbahen në gjysmën e parë të muajit maj, por për shkak se Kuvendi i Maqedonisë nuk e kishte të zgjedhur kryetarin, skaduan të gjitha afatet për shpalljen e tyre në datën e paraparë.

Gjyqtarët e Kushtetueses në seancën e së mërkurës do të shqyrtojnë edhe mocionin të parashtruar nga shoqata bujqësore “Agrotikveshija”, e cila kërkon anulimin e nenit nga Kodi Zgjedhor i cili ndalon pagesën e subvencioneve deri në formimin e qeverisë së re.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu