Edhe pas ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit në Kuvend, BDI po vazhdon të luaj lojëra të fshehta me VMRO-DPMNE-në, njoftojnë burime partiake. Informatat për këto lojëra kanë arritur edhe te përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, kurse si shembull konkret përmendet loja për emërimin e Prokurorit aktual Marko Zvrlevski në postin e përjetshëm të zv/prokurorit. Burime partiake thonë se BDI i ka borxh Zvrlevskit për rastin “Magjar Telekom”, të cilin refuzoi tia japë Prokurorisë Speciale, këtë rast ku përmenden “dy kokat” e BDI-së, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi për ryshfet prej miliona eurove.
Mirëpo duke pasë parasysh se shumica e rasteve të dyshimta gjyqësore në Maqedoni gjatë pushtett VMRO-BDI mbjanë pikërisht “vulën” e Zvrlevskit, loja e BDI-së në favor të tij, ka irituar edhe ndërkombëtarët edhe LSDM-në e Zaevit, të cilët kanë filluar të punojnë në drejtim të përjashtimit të BDI-së nga shumica prej 67 deputetëve, shkruan Gazeta Lajm.
Në këtë mënyrë, qeveria pa BDI-në, që është vullnet i rreth 150 mijë votuesve shqiptarë i shprehur në zgjedhjet e 11 dhjetorit, mund të bëhet shumë lehtë realitet. Çelësi për realizimin e kësaj dëshire të shumicës bindëse të votuesve shqiptarë, gjendet në duart e liderit të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, sepse Lëvizja Besa dhe PDSH në kontaktet me ndërkombëtarët, parimisht janë pajtuar që qeverie e re reformatore gjatë funksionimit të mos kushtëzohet nga mbeturina të pareformuara nga qeveritë e Gruevskit.
Nëse për një gjë të tillë pajtohet edhe Sela dhe Aleanca për Shqiptarët, atëherë shumica e re parlamentare mund të sigurohet edhe pa BDI-në, duke pasë parasysh se së shpejti VMRO-së mund t’i shkëputen 4 deputetë.
Ja matematika e ndërkombëtarëve për formimin e qeverisë pa VMRO-në dhe pa BDI-në:
LSDM 49 deputetë
Lëvizja Besa 5 deputetë
LR PDSH 3 deputetë
PDSH 2 deputetë
Deputetë që do shkëputen nga koalicioni i VMRO-së – 4 deputetë
Gjithsej 63 deputetë
Ky koalicion do të ketë shumicë edhe më stabile, pasi në rast se BDI nuk përfshihet në koalicionin qeveritar, asaj mund t’i shkëputen 2 ose 3 deputetë, me çka shumica do të shkonte deri në 66 deputetë. “Vetëm një koalicion i tillë do të mund të zbatonte reforma të vërteta, sepse me BDI-në brenda si partner lojal i VMRO-DPMNE-së, vështirë se Zaevi do të arrijë të realizojë reformat që i premtonte. Me BDI-në brenda në qeveri, Zaev do të përballet me rezistencë të fortë në realizimin e synimit të tij për arrestim të kriminelëve dhe për konfiskim të pasurive të tyre”, kanë thënë diplomatët perëndimorë të cilët fuqimisht po lobojnë për formimin e këtij koalicioni, shkruan Gazeta Lajm.
Sipas tyre, mbetja e VMRO-së dhe BDI-së bashkë në opozitë, do të ishte një mundësi e artë për këto dy parti të reformojnë radhët e veta.










