Ende nuk është gjetur një zgjidhje e çështjes Shqiptare, dhe kjo është një nga arsyet kryesore për tejzgjatjen e krizës politike në Maqedoni, thotë politologja boshnjake Lejla Ramic-Mesihovic.
Shqiptarët që janë sëpaku 25 përqind nga popullata e përgjithshme ndjehen të papërfaqësuar dhe të diskriminuar nga institucionet.
Zoran Zaev ka arritur të krijojë shumicën parlamentare duke u premtuar dy partive më të mëdha shqiptare “Platformën” e nënshkruar në Tiranë, megjithatë nuk mandatohen nga presidenti Gjorgje Ivanov që sheh kërcënim të sovranitetit dhe integritetit të vendit.
Frika nuk është tërësisht e pa arsyetuar. Nga konflikti i 2001 dhe ngjarjet e Kumanovës 2015, nacionalistët shqiptarë kanë kërcënuar me bashkimin e rajoneve të tyre me Shqipërinë.
Edhe politikanët e Tiranës dhe Prishtinës kanë ngritur zërin e tyre për fusionin dhe krijimin e Shqipërisë Etnike, përcjell “botasot.info”.
Perëndimi ka reaguar ashpër, ndërsa Rusia akuzon atë se përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë.
Uashingtoni dhe Brukseli kanë nevojë për udhëheqës të “dëgjueshëm” mendon politologu maqedonas Branko Gjorgjevski i intervistuar nga media socialiste gjermane.
“Gruevski është përpjekur për integrimin e vendit në strukturat perëndimore, megjithatë Uashingtoni dhe Brukseli kanë mbetur të pakënaqur për shkak të bashkëpunimit me Rusinë, veçanërisht në fushën e energjitikës.”
Bëhet fjalë për “Rrjedhjen turke” që mund ti sjellte Maqedonisë qindra të punësuar dhe miliarda euro të ardhura, por edhe varësinë e Europës nga gazi rus.
Për të parandaluar ndikimin rus paralelisht është aktivizuar faktori shqiptar mbi gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor. Kjo mund të vërehet edhe në Malin e Zi, ku anëtarësimi i saj në NATO është kryer falë ndihmës së minoritetit shqiptar atje.
Shqiptarët nuk kanë harruar dhe nuk ia kanë falur ndihmesën ruse ndaj Serbisë në Luftën e Kosovës.
Politologu serb Dragomir Angjelkovic mendon se aleanca mes LSDM të Zoran Zaev dhe partive shqiptare e kthen Maqedoninë në peng të tyre. Kështu mendon edhe analisti rus Safonov i cili beson se kjo do nxiste qeverinë e ardhshme për ti kryer sankcione Rusisë.
Maqedonia ka shtuar eksportin drejt Rusisë për 40 përqind në krahasim me atë të një viti më parë. /albeu