Përfundon takimi, Rama-Basha ka marrëveshje mes palëve

Ka përfunduar takimi prej më shumë se tre orësh ‘kokë më kokë’, mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së Lulzim Basha, në Kryesinë e Kuvendit.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se ka një marrëveshje të bazuar në paketën “McAllister plus”, ndërsa theksoi se ditën e nesërme do bëhet publike marrëveshja.

Basha theksoi se marrëveshja do të bëhet e detajuar dhe e qartë në 24 orët e ardhshme. Edhe Rama është shprehur se nuk ka se çfarë të shtojë më shumë.

Më pas, Rama dhe Basha, kanë shtrënguar duart para kamerave.

Pas takimit gjithëpërfshirës, në sallën “Pjetër Arbnori” në Kryesinë e Kuvendit është zhvilluar takimi mes kryeministrit Rama dhe kryeopozitarit Basha.

Takimi ka nisur pas tryezës së kryetarëve të partive, rreth orës 22:00 në mjediset e Kryesisë së Kuvendit.

Rama dhe Basha u takuan ‘kokë më kokë’ kur mbeten edhe pak orë nga skadimi i afatit të fundit që kreu i qeverisë i vendosi opozitës për të hyrë në zgjedhje.

Kërkesa ka ardhur në takimin mes kryetarëve të partive, të mbajtur në Kryesinë e Kuvendit, ku të pranishëm ishin Rama dhe Basha.

Aleatët ishin ata që dhanë shenjat e para të marrëveshjesh. Shpëtim Idrizi e ka quajtur një bisedë racionale, duke lënë të kuptohet që po shkohet drejt një marrëveshjeje.

Por edhe krerët e partive të tjera që folën më herët lanë të kuptohet e njëjta gjë. Pas takimit të thirrur nga krerët e partive të vogla, deputetja Mimoza Hafizi dha pak detaje nga tryeza e bisedimeve, por tha se një takim mes Ramës dhe Bashës po zhvillohet “tet a tet”, në Kryesinë e Kuvendit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu