Ish-kryetari i komunës dhe degës së BDI në Dibër, Argëtim Fida ka folur pas zërave se ai është një nga ish-krerët e komunave ndaj të cilëve janë hapur hetime nga Prokuroria Publike Themelore për keqpërdorim të detyrës dhe malverzime financiare. Ish kryetari i komunës së Dibrës Argëtim Fida ka deklaruar për InfoShqip.com se është i hapur për çdo lloj hetimi.
“Jam i hapur për të gjitha llojet e hetimeve, sepse jam i pastër dhe kam punuar në mënyrë transparente dhe ligjore. Informoj qytetarët e Dibrës dhe opinionin më të gjërë, se jam i befasuar nga lajmet lidhur me paralajmërimin e Policisë Financiare se do të ngrihet padi për keqpërdorim të detyrës zyrtare për disa ish kryetarë të komunave nga rradhët e BDI-së ,ndër të cilat përmendet dhe Dibra. Njohtoj se unë nuk kam pasur asnjë informim zyrtar për këtë.Megjithatë njohtoj se jam i hapur për të gjitha hetimet e mundshme pasi që jam i pastër në këtë drejtim”, theksoi ish-kryetari Fida. Sipas tij, për vendimet për furnizime publike në Dibër, për 8 vite sa isha kryetar , janë mbajtur “Forumet në Bashkësi” ku në mënyrë transparente janë planifikuar ceshtje prioritare, dhe është demonstruar publikisht si është harxhuar cdo denar i Buxhetit të Komunës. “Sigurisht propozimet e “Forumeve ne Bashkësi” dhe tjera miratoheshin nga Këshilli Komunal dhe pastaj komisionet e posacme për Furnizime publike bënin procedurat dhe zgjidhnin ofertat fituese që i propozonin Kryetarit. Kryetari vetëm ka vërtetuar zgjedhjet më të mira të Komisionit në bazë të ofertave më të mira nga realizuaesit. Mënyra e regullt dhe transparente e punës u vërtetua në disa revizione financiare që u bënë deri në ditën e fundit të mandatit tim të dytë”, theksoi Argëtim Fida. Ai tha se muajt e fundit asgjë nuk është për t’u habitur në Maqedoni, presionet vijnë nga të gjitha anët e mundshme.”Përsëris megjithatë u befasuam tejmase se puna jonë transparente ishte e njohur jo vetëm për qytetarët dibranë por edhe më gjërë, kjo ndoshta ka qenë dhe vazhdon të jetë pengesë për qarqe të caktuara.”, tha në fund ish-kryetari i komunës së Dibrës./InfoShqip.com