Kur kanë mbetur edhe 2 ditë që Prokuroria Publike Speciale të ngritë aktakuza kundër të dyshuarve për lëndët që dalin nga materialet e përgjuara, vazhdojnë të dalin pikëpyetje dhe akuza për punën e saj. Anëtari i kryesisë së VMRO-DPMNE-së, Antonijo Milloshoski tha se që nga dita e parë, qëllimi i PPS-së ka qenë të punojë kundër partisë së tij. Ai thotë se habitet se në Maqedoni politikanët e partive tjera qenkan kaq të pastër.
“Nuk do të na çudit aspak nëse në ditët në vijim PPS përsëri ngrit padi në baza politike kundër politikanëve të dalluar të VMRO-DPMNE-së, ndërsa në ndërkohë nuk ka asnjë padi për politikanë nga BDI sepse të gjithë paskan qenë të ndershëm, asnjë padi për politikanë të LSDM-së, apo për Zaev apo për Verushevskin, sepse të gjithë paskan qenë të ndershëm apo për cilindo qoftë kryetarë të komunës, funksionar apo biznesmen të afërt të LSDM-së dhe BDI-së. Ky është turpi më e madhe për PPS-në si prokurori e partizuar”, u shpreh Antonio Milloshoski, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.
Këso akuza ka pasur edhe më herët nga VMRO-DPMNE, ndërsa PPS disa herë ka reaguar në lidhje me to.
“Ne nuk bëjmë dallime se kë po e hetojmë, gjegjësisht për kënd po hapim procedura, në bazë të asaj se cilës parti politike i takojnë. Duhet të dini që ne hapim lëndë vetëm për atë që e dëgjojmë si indicie në telefonatat e përgjuara në mënyrë të paligjshme. Përgjegjësia jonë është shumë e kufizuar me ligj dhe parasheh se nëse kemi indicie që në materialet e përgjuara, pa marrë parasysh se kush e ka bërë veprën penale, ne jemi të detyruar që të fillojmë procedura”, tha Lençe Risteska, Prokuroria Publike Speciale (22.05.2017).
Kryeministri i vendit thotë se ai dhe anëtarët e partisë së tij nuk fshihen dhe se nëse ka ndonjë dëshmi kundër tyre, PPS duhet të ngre padi edhe për ta.
“Ligji duhet të vlejë për të gjithë. Kjo do të thotë se nëse Zoran Zaev është indikator dhe për të eksistojnë dyshime, fakte apo indikacione, duhet të hapet hetim kundër tij, apo kundër kujtdo anëtari të LSDM-së apo anëtaërve të partive tjera opozitare dhe në bazë të kësaj duhet hapur hetim kundër gjithkujt që në mënyrë indikative dyshohet se ka thyer ligjin”, tha Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë (13.06.2017).
E nga ana tjetër profesori universitar Osman Kadriu edhe pse punën e kësaj prokurorie e vlerëson si të paanshme por dyshon se politikanët e partive tjera janë të pastër. Ai mendon se PPS nuk duhet të ketë rezerva edhe ndaj anëtarëve të partive tjera. “
“Do të shohim se çka disponon Prokuroria Speciale prej lëndëve dhe prej numrit të personave të cilët janë të dyshuar. Pa dyshim që ka persona të dyshuar edhe prej bllokuar shqiptarë, prej partive politike shqiptarë që kanë qenë në pushtet, se janë të niveluar në krime të rënda edhe për ato patjetër duhet të ketë përgjegjësi”, shtoi Osman Kadriu, profesor universitar.
Ndryshe Prokuroria Publike Speciale ishte hapur me marrëveshjen e Përzhinës, ndërsa qëllimi i formimit ishte ngritja e rasteve që dalin nga përgjimet e paligjshme. Në konferencën e parë të mbajtur të PPS-së për të treguar mbështetjen e tyre, prezent ishin edhe shumë ambasadorë të huaj në Maqedoni. Ndryshe Prokurorisë Publike Speciale me 30 qershor i skadon afati për ngritjen e aktpadive për lëndë që dalin nga materialet e përgjuara, ndërsa ka mandat edhe 3 vite të tjera për të vazhduar me lëndët e hapura. Deri më tani janë hapur mbi 30 lëndë, ndërsa në konferencën e sotme për shtyp ngritën 18 aktpadi penale kundër ish funskionar qeveritar , funksionar të tanishëm dhe biznizmenë të afërt me pushtetin e deritanishëm, duke përfshirë edhe kërkesë për paraburgim për Gruevskin e Mijallkovin.
Gazetar: Bajram Memeti