Rreziku që i vie Kosovës me formimin e Qeverisë nga votat e Listës Serbe!

Komisioni Qendror i zgjedhjeve, më në fund ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit të cilat i mbajtën në Kosovë, pas rrëzimit të Qeverisë Mustafa. Sipas KQZ-së, koalicioni nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe disa parti të vogla ka 39 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje 32 deputetë, ndërsa koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa e Lëvizjes për Drejtësi 29 deputetë. Nga publikimi i rezultateve përfundimtare, ashtu siç edhe ishte bërë e ditur më herët, asnjëri nga subjektet apo koalicionet që ishin në garën e 11 qershorit nuk ka arritur të fitojë shumicën që të krijojë qeverinë e vetme, pa koalicione. Pra qeverinë e ardhshme asnjë subjekt i vetëm nuk mund ta formojë edhe nëse do të kenë mbështetjen e të 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, 10 të serbëve e 10 të tjerëve, të Kuvendit të Kosovës me gjithsej 120 deputetë. Pasi për formimin e qeverisë së Kosovës, në bazë të Kushtetutës duetin 61 deputetë. Përderisa, koalicioni PAN, gjitha shpresat i ka te Lista Serbe për formimin e qeverisë, si dhe te ndonjë deputet i LAA-së apo VVsë, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar haptas se dëshiron një koalicion pa Listën Serbe, duke i bëtë thirrje LDK-së që së bashku ta formojnë shumicën, në mënyrë që ta formojnë qeverinë. Por, formimi i Qeverisë së Kosovës, duke u bazuar në votat e minoritetit serb,
nga njohës të zhvillimeve politike po shihet si një rrezik për Kosovën, pasi serbët do të bëheshin një faktorë në qeverisjen në Kosovë, duke rritur edhe më shumë praninë e Serbisë në Kosovë.

Rreziqet e formimit të Qeverisë me votat e serbëve

Profesori ndërkombëtar, dhe studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot”, tregon efektet dhe pasojat që do të ketë në Kosovë, në rast se Qeveria formohet duke u bazuar në votat e deputetëve të Listës Serbe. “Pasoja dhe dëmi më i madh lidhet me faktin se minoritetet kushtëzojnë qeverisjen në Kosovë. Ose do të duhej të zbatohej vullneti i serbëve i bazuar në diversionin e tyre kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, ose do të duhej të shkohej në zgjedhje te parakohshme. Çdo gjë do të diktohej nga votat e minoritetit. Madje edhe ligjet
dhe vendimet më të thjeshta, sepse opozita do të duhej të mbetej në opozitë”, ka theksuar Bytyçi. Ai me tej, thotë se një koalicion që kushtëzon vendimet me votën e minoriteteve është një koalicion që ndan pushtetin në Kosovë me qeverinë e Beogradit. “Në këto kushte do të rritet prania dhe ndikimi i Serbisë në Kosove. Kjo shkakton pengimin e Kosovës drejt krijimit të shtetësisë së njohur në OKB dhe rritjen e ndikimit të Rusisë në Kosovë e në rajon. Minoritetet, para se gjithash minoriteti serb dirigjohet nga Beogradi. Roli kushtetues i këtij minoriteti në vendimmarrjen e institucioneve të Kosovës do të thoshte kontrolli i qeverisjes në Kosove nga ana e Beogradit. Ky kontroll behet edhe nëpërmjet disa deputetëve shqiptarë, por ata nuk mund të mbajnë hapur pozicione proserbe”, është shprehur Bytyçi.

Tregti me deputetë?

Sipas tij, deputetët minoritarë dhe ministrat minoritarë kanë obligim të veprojnë hapur për të kundërshtuar çdo nismë të deputetëve dhe autoriteteve shqiptare që forcon shtetësinë e Kosovës. Bytyci, po ashtu ka paralajmëruar se mund të ketë edhe tregtim të deputetëve nga koalicioni PAN, me synim për të arritur shumicën që i mundëson formimin e qeverisë. “Ne Kosovë partitë politike fituese po bëjnë përpjekje për formimin e qeverisë së re, por ende nuk ka një rezultat konkret. PAN nuk i ka votat për krijimin e një qeverie pa LDK dhe VV. Edhe nëse tenton të bëjë koalicion vetëm me 20 deputetët e minoritetit, ky koalicion do të arrijë dy deputetë me pak sesa duhen për formimin e mazhorances. Ka mundësi që të krijohet tregu i deputeteve. Psh që
AKR t’i bashkëngjitet PAN dhe minoriteteve. Atëherë numri i deputetëve bëhet mazhoritar, arrin në 64”, ka thënë studiuesi Bytyçi.
Rreziku nga keqmenaxhimi i proceseve Kurse, eksperti i sigurisë në Kosovë, Fadil Kajtazi, rrezikun e sheh te keqmenaxhimi i proceseve të klasës politike në Kosovë, që sipas tij ky keqmenaxhimi në të kaluarën ka rezultuar që serbët të bëhen sot faktorë në Kosovë. “Unë nuk e shoh rrezikun te Lista Serbe, rreziku Kosovës i kanoset nga keqmenaxhimi i proceseve nga një pjesë e klasës politike në Kosovë. Ky keqmenaxhim ka rezultuar që serbët të organizojnë ngjarjet e marsit të vitit 2004, ne te cilat i ashtuquajturi «krah i luftës» u hodh me dy këmbët vetëm e vetëm për ta rrezuar nga pushteti Presidentin Rugova e që në fakt prodhoj planin e Athisarit që në të vërtet nuk është gjë tjetër vetëm faktorizim i serbëve në Kushtetutën e Kosovës vetëm për faktin se u dogjën disa kisha serbe të cilat prapë u rinovuan me fonde të Kosovës”, ka thënë Kajtazi për gazetën “Bota sot”. Sipas tij rezultat i kësaj edhe u bë edhe plani i Atisarit, i cili u dashtë të pranohet ngase veprimet e klasës politike e prodhuan atë gjendje dhe se në koluaret ndërkombëtare luhej lojë tjetër dhe shtoheshin rreziqet. “Serbët përmes agjenturës se tyre kanë influencuar shumë që kjo të prishej dhe të krijohej stastusqo në proceset politike në Kosovë. Dhe nga i gjithë ky pështjellim na nxorën amerikanet të cilët e quan me mund procesin deri te pavarësia”, thekson Kajtazi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu