Ambasadori amerikan në Shkup Xhes Bejli, në një intervistë për Alsat thotë se qytetarët e Maqedonisë e duan anëtarësimin në NATO dhe shpreson se një gjë e tillë do të ndodh.
Sipas Bejlit mbështetja amerikane do të vazhdojë të jetë e fuqishme drejt integrimit euroatlantik, pasi rruga e vetme e vendeve të Ballkanit është Perëndimi. Bejli në intervistën me gazetaren Arta Tahiri flet edhe për tendencat ruse në Ballkan, Ligjin për shqipen dhe reformat në gjyqësor, administratë dhe fusha të tjera.
Problemi mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen emrit daton që nga pavarësia e Maqedonisë. Athina nuk e pranon emrin e saj me arsyetimin e pretendimeve territoriale ndaj pjesë veriore të Greqisë me të njëjtin emër, por gjithashtu ajo nuk pranon pretendimin e maqedonasve se kanë prejardhje nga Maqedonia Antike.
Bisedimet e deritanishme për zgjidhjen e kontestit nuk kanë dhënë rezultat dhe si pasojë Athina po mban të bllokuar integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.