TV Alsat duke u thirrur në burime brenda koalicionit, paralajmëron se në VLEN qarkullojnë zëra për krijimin e dy partive të reja – një rreth Arben Fetait dhe tjetra rreth Fatmir Limanit. Megjithatë, këto informacione deri më tani nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga funksionarët.
Nga ana tjetër tashmë është e qartë se liderët e koalicionit VLEN janë duke shqyrtuar propozimin e Zeqirija Ibrahimit për unifikimin e koalicionit dhe mënyrën e bashkëpunimit të brendshëm. Kështu deklarojnë zyrtarisht nga koalicioni, një ditë pasi Ibrahimi njoftoi dorëheqjen nga drejtimi i Alternativës, duke lënë pas një propozim që pritet të analizohet nga liderët tjerë.
Nga VLEN nuk zbardhin më shumë detaje për përmbajtjen e propozimit të Ibrahimit. Ata theksojnë se koalicioni funksionon “në mënyrë të shkëlqyer” dhe se largimi i Ibrahimit shihet si proces demokratik.
“Koalicioni VLEN funksionon në formë të shkëlqyeshme, ashtu sikur ka funksionuar deri më sot, me kryesi qendrore, media qendër dhe kuadro të përbashkët. Ajo që tani është risi është zëvendësimi i njërit prej liderëve brenda Koalicionit VLEN, gjë që e shohim si një proces normal dhe demokratik. Lidhur me propozimin e Zeqirija Ibrahimit, ai është në shqyrtim në koordinimin e liderëve dhe opinioni do të informohet për të gjitha zhvillimet”, thonë nga VLEN.
Koalicioni kishte premtuar themelimin e një partie të vetme pas zgjedhjeve lokale, por nuk përjashtohet mundësia që ky proces të shtyhet. Koordinimi mes palëve vazhdon të mbetet sfidues, pasi secila strukturë hyn në negociata me kërkesa të veçanta./INA/










