Rikonstruimi i Qeverisë është i domosdoshëm, sipas partnerëve të koalicionit në ekzekutiv, por se kur do të bëhet, ende nuk dihet. Ajo që mëson TV21 jo zyrtarisht nga burime brenda qeverisë, është se disa ministra do të ndërrohen si nga radhët e VMRO DPMNE-së ashtu edhe nga koalicioni VLEN. Sipas burimit jo zyrtarisht ministrat që mund të ndërrohen janë:
RIKONSTRUIMI EVENTUAL I QEVERISË NË KËTO RESORE:
Ministri i punëve të brendshme – Pançe Toshkovski (VMRO DPMNE)
Ministri i Bujqësisë – Cvetan Tripunovski (VMRO DPMNE)
Ministri i Kulturës dhe Turizmit – Zoran Lutkov (VMRO DPMNE)
Ministrja e Arsimit – Vesna Janevska (VMRO DPMNE)
Ministër i Drejtësisë – Igor Filkov (ZNAM)
Ministri i Ekonomisë – Besar Durmishi (VLEN)
Ministri për Çështje Evropiane – Orhan Murtezani (VLEN)
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai tha se vetëm një emër është i ditur deri më tani, që kryetarin e Çairit Izet Mexhitin në cilësinë e zëvendëskryeministrit të parë do e zëvendësoj Bekim Sali. Ndërsa, për Ministër të Ekologjisë, krerët e VLEN-it nesër pritet të takohen me Kryeministrin Mickoski.
“Siç e dini Lëvizja Demokratike kishte edhe Ministrinë e Mjedisit, Izet Mexhiti kishte dy role, Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Mjedisit. Tani LD e Mexhitit do të propozojë edhe një emër për Ministër të Mjedisit dhe besoj që brenda kësaj jave, nesër më së largu do të ulemi me Kryeministrin si mandatar dhe do ti shtrojmë këto çështje e të gjejmë një zgjidhje në bazë të asaj që është dakorduar edhe ai si hise e partnerëve të koalicionit”, tha Arben Fetai, zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë.
Pas zgjedhjeve lokale, kryeministri Hristijan Mickoski, paralajmëroi se do të ketë rikonstruim të Qeverisë. Në kabinetin aktual qeverisës 15 ministra janë nga VMRO DPMNE, 6 nga VLEN dhe 2 nga ZNAM. Akoma nuk dihet kush nga zëvendësministrat do të ndërrohen, por nga të gjitha palët kanë bërë të ditur se do të mbeten brenda kornizave të koalicioneve sipas marrëveshjes fillestare të formimit të qeverisë.










