Largimi i Blendi Fevziut drejt Top Channel është kthyer në një ndër lajmet më të kërkuara dhe lexuara në median online.
Ndaj kësaj lëvizje ka komentuar sërish gazetari dhe moderatori Artur Zheji.
Në një editorial botuar në “360 gradë”, Zheji rendit arsyet se përse kryeministri Rama i trembet bashkimit të Ben Blushit, aktualisht drejtori i TCH me Blendi Fevziut, i cili përflitet se do të transferojë emisionin e tij “Opinion” nga tv Klan.
“Lëvizja e Fevzos, që disa e qesëndisin dhe e ironizojnë dhe disa të tjerë e analizojnë, ka sjellë një shqetësim real dhe të arësyeshëm të kryeqeveritari Rama, që sheh përmbysjen e mjaft ekuilibrave të favorshëm mediatikë, simbas reaksionit shkak-pasojë, të cilat hyjnë në spirale të panjohura dhe turbulluese”- shkruan ndër të tjera Zheji.
Shkrimi i plotë:
Në xhunglën pa rregulla të shoqërisë shqiptare, ku të gjithë kanë dhënë një dorë të mirë, ka gjithësesi një rregull: “Peshku i madh, e ha të voglin”, pamvarsisht ligjeve ose organeve ligjzbatuese.
Sepse ligjet dhe zbatuesit e tyre, vlejnë për milingonat dhe urithët e vegjël të xhunglës, por jo më lartë se aq.
Top Channel e ka ndihmuar dhe mbështetur Ramën në shumë çaste të jetës së vet politike, që nga fillesat e veta, edhe kur ishte Tani edhe kur ai u largua furishëm nga kjo botë.
Mirëpo mbasi u bë kryeministër në 2013, ish armiqtë e Tv Klan, u joshën me kënaqësi të madhe prej tij, duke lënë në harresë vëmendjeje dhe jo vetëm “miqtë besnikë” të Tch.
Në të vërtetë kjo është sindroma e kryministrave socialistë, joshen të duan dhe të tërheqin pas vetes kur vijnë në pushtet, më shumë ata që kanë pasur kundërshtarë, se sa ata që i kanë në “xhep” si miq besnikë dhe si kundërshtarë të vendosur dhe të pakthyeshëm, të kundërshtarëve të tyre.
Lëvizja e zgjuar dhe e guximshme e zonjës Hoxha, me “blerjen” si drejtor të Tch, të kundërshtarit të Ramës, Ben Blushit, gazetar tashmë i vjetër, dha padyshim tronditjen e parë të ekuilibrave mediatikë në Shqipëri.
Lëvizja e dytë, erdhi jo shumë më vonë: “Një projekt 50 vjeçarësh, Beni-Blendi” për të shkundur fort egzistencializmin e tyre në 10 vjeçarin e ardhshëm kulmor, të moshës së burrave, pak përpara fillimit të perëndimit, që natyra dikton dhunshëm mbi të gjithë ne.
Të gjithë kanë rendur te Fevzo, përfshirë edhe Ramën e Gjatë, që di kaq mirë të përkulet kur ja lyp halli, për ti thënë: “Mos!”, “mos e prish këtë ekuilibër se jemi shumë mirë kështu…”
A thua se jeta e njeriut është pafundësisht e gjatë dhe sikur ajo është një film që mund të ripërsëritet dhe skena të caktuara, të mund të xhirohen edhe njëherë nga e para…
Dhe kështu Fevziu, gjindet tani në udhëkryq, ndërmjet një sfide pasionante me Blushin, një betejë “orgazmike” opozitare kundër establishmentit të Ramës dhe një rutine me TvKlan.
Në të vërtetë, Lëvizja e Fevzos, që disa e qesëndisin dhe e ironizojnë dhe disa të tjerë e analizojnë, ka sjellë një shqetësim real dhe të arësyeshëm të kryeqeveritari Rama, që sheh përmbysjen e mjaft ekuilibrave të favorshëm mediatikë, simbas reaksionit shkak-pasojë, të cilat hyjnë në spirale të panjohura dhe turbulluese.
Për ruajtjen e pushtetit dhe të kontrollit të tij për mediat dhe ndaj mediave. Gjithësesi trendy i sfidave egzistenciale, nuk shmanget. Kryeqeveritari kësaj i trembet. Me të drejtë kësaj rradhe. /albeu