VLEN po vazhdon debatin brenda koalicionit për shkrirje në një parti, por ende nuk është marrë një vendim final, ndonëse kjo ide ka kohë që po përflitet. Ideja zgjedhjes së liderit me rotacion njëvjeçar, siç duket ka rënë poshtë dhe tani po diskutohen opsione tjera. Per Izet Mexhitin opsioni më i mirë është me bashkëkryetar, njësoj sikur modeli i Lëvizjes Guxo në Kosovë.
“Për mua më real për ta bërë VLEN-in një është opsioni i bashkëkryetarëve që nënkupton që edhe tjerët të jenë të pozicionuar në pozita të kryesisë së ngushtë”, tha Izet Mexhiti, VLEN.
Por a do të ketë pajtim edhe nga partneret tjerë për këtë opsion, mbetet për tu parë.
I pyetur nëse ka një derë të hapur për bashkëpunim me Ali Ahmetin dhe BDI-në, Mexhiti tha se nuk ka hasmëri me ish bashkëpartiakët e tij.
“Ne hasmëri nuk kemi. Armiqësi private nuk kemi. Kemi pasur dallime politike, por sot jam pjesë e VLEN dhe jam i fokusuar 100% për ta konsoliduar VLEN-in, që VLEN të jetë një subjekt. Normal që për çështjet kombëtare, jetike, mund edhe të ulemi të bisedojmë kur ka nevojë. Që i njeh edhe demokracia, pozitë-opozitë ka çështje që janë mbi politikën ditore dhe aty jo me zotëri Ahmetin por me secilin subjekt shqiptar jemi të gatshëm të ulemi të bisedojmë” , deklaroi Izet Mexhiti, VLEN.
Një javë më parë për të njëjtën çështje u pyet edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
“Tani unë hasmëri nuk kam me asnjërin, por për tu rikthyer në BDI vendos BDI, jo Ali Ahmeti”, tha Ahmeti.
Se a po i lënë derë hapur njëri tjetrit kjo mbetet për tu analizuar. Mexhiti mbrëmë në Click Plus gjithashtu tha se VLEN edhe kështu siç është ka dhënë prova që është i suksesshëm. Ndryshe pjesë e koalicionit VLEN janë: LD, BESA, Alternativa dhe Arben Fetai si pjesë e ASH-së. Ky koalicion mbështetet edhe nga Vetëvendosje dhe Lëvizja Arbëria.










