Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi tashmë është siguruar nga organet e rendit dhe se çdo vendim i mëtejshëm për rastin e tij i takon pushtetit gjyqësor, përcjell INA.
Duke komentuar akuzat e opozitës Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) për një marrëveshje të mundshme për kthimin e Grubit, Mickoski tha se një gjë e tillë “nuk ka asnjë logjikë”, duke kujtuar se në të kaluarën ka qenë shpesh objekt i sulmeve politike nga ish-zyrtari.
“Mund ta kuptoj nëse dikush në nënvetëdije e akuzon Qeverinë për ndonjë marrëveshje, por le të mendojmë logjikisht. Unë personalisht kam qenë më i sulmuari nga ky person – Artan Grubi. Kujtoni deklaratën e famshme ‘Papa Micko’. Kujtoni kur në Ditën e Faljes u ngritën dronë mbi shtëpinë familjare të motrës sime dhe u paraqit si pronë e fshehtë e imja. Sa herë jam sulmuar me shpifje dhe gënjeshtra nga Grubi dhe nga ata që atëherë ishin pjesë e qeverisë së udhëhequr nga SDSM. Dhe tani, sipas një logjike të çuditshme, unë si kryeministër bëj marrëveshje me ata që duan fundin tim politik, madje disa edhe fundin tim njerëzor. Kjo nuk ka asnjë logjikë,” deklaroi Mickoski.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Ljupcho Prenxhov, Mickoski tha se qeveria nuk ka rol në procedurën e mëtejshme dhe se drejtësia duhet të veprojë në mënyrë të pavarur.
Ai shtoi se disa persona janë të shqetësuar për zhvillimet e fundit dhe paralajmëroi se “agonia për disa sapo ka filluar”, duke aluduar se hetimet mund të zgjerojnë përgjegjësitë në raste të tjera.(INA)










