A mund të jetë beteja SHBA-Iran për Hormuzin një fitore për Rusinë dhe Kinën?

Për vite të tëra, politikanët në Uashington e kanë parë Azinë kryesisht përmes prizmit të Tajvanit, Detit të Kinës Jugore dhe rritjes së fuqisë ushtarake të Kinës. Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia vetëm sa e ka përforcuar këtë këndvështrim, duke e konsoliduar Evropën dhe Azinë Lindore si arenat kryesore të konkurrencës gjeopolitike.

Por, ekspertët e sigurisë në Azinë Juglindore po argumentojnë gjithnjë e më shumë se një krizë tjetër, mijëra kilometra larg, në Lindjen e Mesme, mund ta riformësojë balancën rajonale të fuqisë, shumë më shumë sesa Ukraina apo Tajvani.

Rëndësia strategjike e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës së botës, është bërë e pamundur që të injorohet nga qeveritë në mbarë Azinë Juglindore.

Teksa tensionet, që përfshijnë Iranin, kërcënojnë një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, analistët thonë se pasojat tashmë po ndryshojnë llogaritjet rajonale për sigurinë, diplomacinë dhe aleancat.

“Ne tashmë po shohim se ASEAN-i [Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore] po afrohet me Rusinë, jo në aspektin e sigurisë, por për shkak të varësisë nga energjia”, tha për Radion Evropa e Lirë Lester Joseph Buitizon, analist i inteligjencës për kërcënimet në Aldebaran Threat Consultants, me seli në Manila. Puna e tij përqendrohet në sigurinë ndërkombëtare dhe politikën në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Operacionet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit gjatë ditëve të fundit kanë rikthyer vëmendjen te Ngushtica e Hormuzit.

Irani pretendon se ka kontroll mbi këtë rrugë strategjike të transitit, teksa SHBA-ja thotë se ka kryer sulme ajrore ndaj objektivave në jug të Iranit “për të dobësuar më shumë kapacitetet ushtarake iraniane që përdoren për sulme ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit”.

Pavarësisht pranisë së madhe ushtarake të SHBA-së, kompanitë e transportit detar vazhdojnë të hezitojnë të kalojnë përmes ngushticës, duke nxjerrë në pah një realitet që shkon përtej fuqisë detare: sfida më e madhe mund të jetë rikthimi i besimit tek operatorët komercialë.

Transporti i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit ka rëndësi jetike për Azinë Juglindore, pasi rajoni vazhdon të jetë shumë i varur nga energjia që vjen nga Lindja e Mesme.

Për shembull, Filipinet importojnë më shumë se 90 për qind të naftës së tyre nga Lindja e Mesme, duke bërë që çdo ndërprerje e furnizimit të jetë një shqetësim i menjëhershëm ekonomik dhe politik, e jo thjesht një çështje e largët e politikës së jashtme.

Megjithëse Manila mbetet një nga aleatet më të afërta të Uashingtonit dhe opinioni publik vazhdon të favorizojë SHBA-në ndaj Kinës, administrata e presidentit Ferdinand Marcos Jr. ka kërkuar të rrisë qasjen në naftën e papërpunuar ruse dhe ka zgjeruar diskutimet për bashkëpunim afatgjatë në fushën e energjisë.

Për Buitizonin, mesazhi është i thjeshtë. Nëse edhe aleati më i afërt rajonal i SHBA-së detyrohet të bashkëpunojë me Moskën për të garantuar furnizimin me energji, atëherë vendet që kanë politikë të jashtme më neutrale, sikurse Indonezia dhe Malajzia, me gjasë do ta bëjnë këtë edhe më lehtë.

“Nëse Rusia arrin ta riorientojë me sukses ekonominë e saj drejt Lindjes”, argumentoi ai, “atëherë sanksionet perëndimore bëhen strukturalisht më pak efektive”.

Teksa Rusia mund të përfitojë ekonomikisht, Kina mund të ketë përfitime diplomatike nga e njëjta situatë.

Sipas Vincent Kyle Parada, analist për kërkime në fushën e mbrojtjes në Zyrën për Studime Strategjike Detare dhe Menaxhim të Strategjisë të Marinës së Filipineve, ka pasur një periudhë kur ASEAN-i arrinte të mbante një balancë mes Lindjes dhe Perëndimit: Kina kishte rritje ekonomike, teksa SHBA-ja garantonte sigurinë rajonale.

Sot, tha Parada, ky dallim po bëhet gjithnjë e më i paqartë. Ai tha se kriza me Iranin është dëshmi se siguria ekonomike dhe siguria kombëtare janë bërë të pandashme.

“Ndërthurja mes ekonomisë dhe sigurisë është bërë shumë më e madhe sesa ishte 10 apo 20 vjet më parë”, tha Parada për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se vendimet e fundit të politikës amerikane, përfshirë shkurtimin e ndihmës për zhvillim në rajon, tensionet tregtare dhe ndërhyrjen në Iran, e kanë dobësuar pozicionin e Uashingtonit në mbarë Azinë Juglindore, duke krijuar njëkohësisht mundësi që Kina ta zgjerojë ndikimin e saj ekonomik.

“Kina në fakt nuk ka nevojë të bëjë asgjë, veçse të presë”, tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu