A mund të ketë tensionim të situatës mes shqiptarëve dhe maqedonëve?

Dimensioni i tensioneve ndëretnike nuk mbeti jashtë protestave kundër propozimit francez që synon t’i zgjidhë disa mospajtime mes Shkupit dhe Sofjes, me qëllim që t’i hapet rrugë integrimit të mëtejshëm evropian të Maqedonisë së Veriut.

Ky dimension u inkorporua kur një grup protestuesish maqedonas gjatë protestave kundër propozimit francez, të mërkurën, u nda nga rrjedha e protestës dhe u drejtua kah Sheshi Skënderbeu, me ç’ rast u përlesh me disa qytetarë shqiptarë, të cilët, siç thanë, po qëndronin para pronave të tyre duke u kujdesur që të mos vinte deri te ndonjë vandalizëm eventual i tyre.

Pas kësaj, kryetari i opozitës maqedonase, Hristian Mickovski, tha se të shtënat ishin drejtuar kah ai, ose për të vrarë ndonjë nga protestuesit me qëllim të krijimit të tensioneve ndëretnike.

Me të njëjtën akuzë dolën dhe partitë politike në pushtet, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Sipas tyre, incidenti ishte skenar i opozitës.

Sociologu maqedonas, Konstadin Minovski, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se tensionet ndëretnike përdoren si levë për të shtyrë barrën e problemeve, të cilat realisht për shtetin bëhen të vështira.

“Gjithmonë, si varianti rezervë mbetet kërcënimi nga tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike. Mendoj se nuk do të ketë pasoja më të mëdha përderisa me kohë parandalohet praktika e zhvillimeve të këtillat. Madje, edhe nëse tensionet ndëretnike përdoren për parandalimin e protestave ose të paktën të ndikojnë në masivitetin e tyre, dhe të njëjtat të shfrytëzohen si arsyetim për nënshkrimin e këtij dokumenti (propozimit francez), i cili duket qartë se nuk është i pranueshëm për pjesën më të madhe të qytetarëve”, thotë Minovski.

Qebir Avziu, ish-zyrtar i lartë i Policisë së Maqedonisë së Veriut, konsideron se vetëdija e qytetarëve se nuk duhet luajtur me çështjet ndëretnike është më e lartë se kapacitetet e institucioneve për t’i parandaluar ato.

“Mendoj se ditëve në vijim nuk do të kemi ndonjë incident të përmasave më të mëdha që do të mund të destabilizonin shtetin, pasi veçanërisht komuniteti shqiptar është i përgatitur drejt rrugës evropiane, kjo rrugë nuk ndryshon. Por, besoj se edhe komuniteti maqedonas – pra pjesa më e madhe e tyre janë për rrugën evropiane, kështu që mbetet vetëm një grup i vogël, i cili është i prirë për incidente , grup ky që ka qëndrime kundër NATO-s dhe kundër integrimit evropian”, thotë Avziu.

Ndërkohë, organizatat joqeveritare në Maqedoninë e Veriut i kanë dënuar thirrjet antishqiptare për “Maqedoni të pastër”, si dhe gjuhën e urrejtjes të përdorur në protesta.

Ato theksojnë se kjo tregon se ende ka shumë punë për sa i përket krijimit të një shoqërie me vlera të shëndosha demokratike, ku problemi do të adresohet drejt atyre që duhet ta zgjidhin problemin dhe jo drejt atyre që i duam më pak.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu