Zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti edhe më tej pohon se ka negociata me deputetë të FE për përforcimin e shumicës parlamentare. Edhe pse paraprakisht thuhej se negociatat udhëhiqen me ASH-në e Selës, burime nga kjo e fundit thonë se nuk ka asgjë nga ato negociata dhe se mbeten pjesë e Frontit. Jozyrtarisht tashmë një periudhë negociojnë me kryetarin e PDSH, Menduh Thaçi për të kaluar në shumicën parlamentare, por Mexhiti nuk konfirmoi.
-Ka paralajmërime, punojmë, domethënë shumica po rritet, tha Izet Mexhiti.
-Me kë bisedoni?
-Do t’ju njoftojmë, parimisht me deputetë të FE, shtoi Mexhiti.
-A keni negociata me Thaçi për të tejkaluar?
-Nuk përjashtoj askënd, tha Mexhiti.
Pas largimit të Taravarit nga pushteti, ka humbur edhe shumica me Badenter që tashmë varet nga BDI-ja, ndërsa për shkak të kësaj, disa ligje kyçe presin për t’u miratuar. Megjithatë Mexhiti thotë se nuk është problem Badenteri, por edhe krahas këtij pohimi, ai e thirri BDI ta përkrahin ligjin për Inspektoratin e gjuhëve dhe se në të ardhmen ai do të kalojë në Agjencinë për gjuhët.
“Sa i përket Badenterit, fola që shumica po rritet. Nuk ka problem as gjatë funksionimit, as gjatë Badanterit, mendoj se për këtë do të njoftoheni ditëve në vijim. Kështu që ftojmë edhe opozitën shqiptare pra ta votojë ligjin, për ta mbyllur njëherë problemin, t’i rikthehen punës në Inspektorat dhe në fazën e dytë, Inspektoratin e Gjuhëve, sepse është sjellë me ligj të posaçëm, lex specialis, mendojmë që më e arsyeshme, dhe ka marrëveshje politike, që Inspektorati i vetëm, pra Inspektorati i Gjuhëve të kalojë në kuadër të Agjencinë të Gjuhëve”, tha Mexhiti.
Për shkak të nevojës për Badenter, ligji për Inspektoratin e gjuhëve nuk u votua për shkak se BDI nuk e përkrahu. Andaj të punësuarit në këtë Inspektorat tashmë 5 muaj nuk kanë marrë pagë.