A po rrezikojnë deputetët e Kosovës të shkojnë në burg?

Ky debat është hapur në Kosovë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu thotë se moskonstituimi i Kuvendit pas kësaj periudhe “do të ketë pasoja”. Ajo nuk deshi të flasë për pasojat, se cilat mund të jenë, por përgjigja e saj ishte domethënëse…

Shumë më i qartë në këtë çështje, ishte ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, i cili thotë se deputetët “duhet të humbin automatikisht mandatin nëse nuk e bëjnë konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh”.

Ai thotë madje se nëse Parlamenti nuk konstituohet brenda këtij afati, 120 deputetët “mund të burgosen me tre deri në gjashtë vjet burgim për shkelje të Kushtetutës.”

Por për të mos e cituar gabimisht, ja deklarimi i tij i plotë, në një emision televiziv në Kosovë: “Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është optimal, pra nuk është radikal. Ka prodhuar një moment të ri, ku në një farë forme iu ka thënë deputetëve që keni afat edhe 30 ditë të vazhdoni kështu. Çdo vendim, çdo aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese është ligj, dhe ligji ka pasoja. Pasojat në bazë të kësaj, nëse nuk konstituohet vijnë në mënyrë automatike.

E para është masa ndëshkuese administrative, që nënkupton revokimin apo humbjen e mandatit. E dyta është masa penale, ku Prokuroria Speciale ka për detyrë që të fillojë ndjekjen penale për shkak të cenimit të rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, dhe mosrespektimit të ligjit. Kjo vlen për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të kodit penal mund të burgosen prej 3 deri në 6 vjet burgim”.

Në mesin tonë me siguri që kemi edhe shumë juristë e analistë. Çfarë mendoni ju për këto pohime?


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu