Kryesia e BDI-së sot pritet të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme. Mbledhja do të zhvillohet për ngjarjet e fundit në vend si dhe ndryshimet kushtetuese pas dështimit të Referendumit.
Almakos nga burime të besueshme brenda BDI-së mëson se një nga temat kyçe në diskutimin e sotëm të kryesisë së BDI-së – do të jenë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Rrjedhimisht, ky burim i besushëm i tha Almakos se, anketimet e brendshme e nxjerrin partinë e Ahmetit shumë dobët në terren, ndërsa në anën tjetër kryeministri Zoran Zaev, insiston që këto zgjedhje të mbahen me çdo kusht.
Po ashtu, funksionarët e rehatuar të BDI-së në kolltuqet qeveritare janë kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke e bindur Ahmetin se janë shumë të zënë me çuarjen e proceseve përpara në qeveri, kështu që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja.
Ndërkohë, këto burime, i bëjnë me dije Almakos, që pjesa e të pakënaqurve në BDI, me në krye Hazbi Likën janë për zgjedhje të parakohshme, pasi ata duken të pakënaqur nga politikat kadrovike dhe udhëheqëse të BDI-së.
Gjithçka do të mësohet më në hollësi nesër se çfarë do të ndodh në këtë mbledhje, mirëpo burimet tona theksojnë se situata është shumë e tensionuar në BDI, shkaku se tashmë grupacionet e shumta kanë arritur kulmin e përplasjeve, dhe ka gjasa të ndodhë që ato të “shpërthejnë” mu nesër në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./Almakos