Abazi reagon pasi Kurti i ‘thuri lavdë’ Ivanoviqit në pesë vjetorin e vrasjes

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili të hënën përkujtoi vdekjen e Oliver Ivanoviçiq.

Përmes një shkrimi në Facebook, Abazi duke ironizuar me Kurtin tha se “Mark Krasniqi, Anton Çetta, Zekeria Cana, Gazmend Zajmi, Afrim Loxha, Ukë Bytyqi…shumë të tjerë, ata nuk meritojnë përkujtim, ata nuk kanë vlerë sa një buqetë lulesh nga Holanda.

“Po pyes si i erdhi radha Oliver Ivanoviq-it?”

“…ndërkohë që aktin e ushtarit të FSK e e gjykuam si krim barbar, ende pa ditur asnje gjë”, shkroi Abazi.

Ndryshe, të hënën përmes një njoftimi nga Qeveria e Kosovës, bëhet e ditur se Kryeministri Kurti ka thënë se Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij.

“Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, ka thënë Kurti në përkujtimin e tij.

Ndaj veprimit të Kurtit reagoi edhe kreu i PDK-së Memli Krasniqi.

“Duhet të jesh i paskrupullt dhe skajshmërisht mosmirënjohës, si Albin Kurti, që të të pengojë fjala e luftëtarëve të lirisë dhe prezenca e tyre nëpër aktivitete publike. Ndalimi nga ana e Qeverisë i fjalës së Kryetarit të Reçakut, ish-luftëtarit të UÇK-së, Adem Ramadani, në Akademinë Përkujtimore për 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut, vetëm pse ai do të përmendëte Hashim Thaçin e Kadri Veselin në fjalim, fatkeqësisht, është në vazhdën e sulmeve të njëpasnjëshme që ky kryeministër po u bën vlerave të luftës çlirimtare dhe veteranëve tanë”, ka thënë Krasniqi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu