Abazoviq ofron që Mali i Zi të jetë mikëpritës i dialogut Prishtinë-Beograd

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka oftuar që Mali i Zi, “si vend mik i Serbisë dhe Kosovës”, të jetë mikëpritës i rundit e radhës të dialogut Prishtinë-Beograd, me përfshirjen e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë.

Abazoviq, përmes një postimi në Twitter pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit të Prespës që po zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, tha se “promovimi i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal është një nga synimet kryesore të politikës së jashtme të Malit të Zi“.

“Interesi ynë i përbashkët është të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët në një bisedë të hapur“, ka shkruar ai.

Një ditë më herët, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

“Bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s shkon përtej Ukrainës. Për shembull, në Kosovë ditëve të fundit u pa se sa i rëndësishëm është ky bashkëpunim dhe dëshiroj të falënderoj KFOR-in dhe komandantin e KFOR-it për punën që po bën në veri të Kosovës”, ka thënë Borrell.

“E dini se ka ndodhur një incident me arrestimin e tre policëve nga Kosova dhe po përpiqemi të kuptojmë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Jemi në kontakt të ngushtë me Komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët, në mënyrë që të shohim çfarë saktësisht ka ndodhur që ka çuar deri te ky arrestim”, tha ai.

Më 14 qershor, autoritetet e Kosovës kanë thënë se tre zyrtarë të saj policorë janë rrëmbyer nga autoritetet e Serbisë, në afërsi të pikës kufitare.

Serbia, në anën tjetër, ka thënë se i ka arrestuar policët e Kosovës, në thellësi të territorit serb.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu