Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se afati i fundit për prezantimin e kabinetit të ri qeveritar është 26 tetori, duke shtuar se do të bëjnë përpjekje që kabineti të prezantohet para kësaj date. “Dita e fundit kur mund të mbahej seanca e Kuvendit, në të cilën unë do të prezantoj kabinetin e ri qeveritar, është 26 tetori. Këto ditë jemi të përqendruar maksimalisht në analizën gjithëpërfshirëse të zgjedhjeve lokale, por shumë shpejt, gjatë kësaj jave, do të fillojmë diskutimet dhe bisedimet edhe për qeverinë qendrore”, ka thënë Kurti para gazetarëve. Presidentja Vjosa Osmani, të shtunën ka mandatuar Albin Kurtin për formimin e Qeverisë. Sipas Kushtetutës, presidentja, pas konsultimeve me partinë ose koalicionin që ka shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin për kryeministër.
Mandatari ka 15 ditë kohë për të dorëzuar përbërjen e Qeverisë dhe për të kërkuar miratimin e saj nga Kuvendi. Qeveria e propozuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota nga 120 deputetë për t’u miratuar. Në rast se nuk arrihet kjo shumicë, presidentja Osmani ka detyrimin brenda dhjetë ditësh të zhvillojë konsultime të reja me partitë dhe të vendosë për mandatarin me gjasat më të mëdha për formimin e Qeverisë. Mandatari ka pastaj edhe 15 ditë të tjera për të dorëzuar përbërjen e re të kabinetit. Nëse Qeveria nuk mund të formohet as pas përpjekjes së dytë, Kushtetuta kërkon shpalljen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh. Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ka 48 deputetë në Kuvend. Asaj i duhen edhe 13 deputetë për të formuar qeverinë me 61 vota. Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit, tha të premten se LVV-ja është e interesuar për të gjetur një partner koalicioni për ta qeverisur vendin.