Afrim Gashi: BESA do të jetë këtu për të përkrahur çdo reformë dhe proces që shkon në të mirën e shqiptarëve

Gashi: Koha e kontrollit të qarqeve politike dhe policore maqedonase ndaj politikanëve shqiptarë tashmë ka përfunduar me Lëvizjen BESA…

Almakos ka arritur ta transkriptoj fjalimin e plotë të deputetit të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi në Kuvendin e Maqedonisë.

Më poshtë ua sjellim fjalimin e plotë të Gashit të BESËS:

“Të nderuar qytetarë,
Të nderuar të pranishëm

Sot, kur po zgjedhim një qeveri të re të vendit, duhej të ishte një ditë feste për qytetarët e Maqedonisë. Ka qene ditë që e kemi pritur moti. Por edhe kjo ditë nuk na doli ashtu siç e prisnim. Edhe sot po ballafaqohemi me dukurinë që po na përcjell prej pavarësisë së Maqedonisë e deri më sot, e që ka të bëjë me raportin e elitave politike maqedonase konform elementit shqiptar në këtë vend.
Në fakt, nuk e di pse u desh të kalojnë 26 vite të Maqedonisë si shtet i pavarur, që sot askush në këtë vend të mos e ketë as edhe dyshimin më të vogël se pa shqiptarët ky vend nuk mund të bëhet. Në fillim elitat politike dhe shtetërore maqedonase, nën ndikim të politikës jogosllavo-millosheviqiane, deshën këtë fakt ta minimizojnë dhe, përmes kushtetutës së vitit 1991, e vendosën mekanizmin e majorizimit të shqiptarëve, duke u dërguar mesazh të qartë se “ju si shqiptarë mund të jetoni në këtë vend vetëm ashtu siç ju duam dhe si do themi ne që ju të bëheni, përndryshe do ju trajtojmë si armiq të vendit”. Dhe, ashtu ndodhi. Deri në vitin 2001, kur shpërtheu konflikti i armatosur i cili rezultoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët ishin nën presion të madh shtetëror, të diskriminuar në çdo sferë dhe të majorizuar me mekanizma juridikë. Edhe pse Marrëveshja e Ohrit solli një shpresë për ndryshim të gjendjes së shqiptarëve në vend, qasja e elitave politike maqedonase mbeti e njëjtë – ata edhe më tej vazhduan të kërkojnë mekanizmat se si “t’i prodhojnë” shqiptarët e tyre. Pas presionit ndërkombëtar për implementim të kësaj marrëveshje, disa punë u lëvizën, por disa të tjera mbetën në gjendjen e njëjtë e disa, madje edhe degraduan. Problemi kyç i vendit dhe i elitës politike maqedonase edhe më tej mbeti qasja e tyre ndaj shqiptarëve për t’i pasur nën kontroll dhe për t’i sunduar.

Duke qenë se kërkesat e shqiptarëve për të qenë të barabartë në këtë vend me maqedonasit dhe të tjerët në sytë e maqedonasve janë parë gjithnjë si kërkesa radikale, elitat politike maqedonase gjithnjë janë munduar të gjejnë një rrugë tjetër për t’u ballafaquar me kërkesat e shqiptarëve – e ajo ka qenë gjithmonë strategjia e “prodhimit” të shqiptarëve të përshtatshëm për partinë e përshtatshme politike maqedonase. Kështu, elitat politike maqedonase, në vend se të merren me zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni, duke i bërë edhe shqiptarët të ndjehen si qytetarë të barabartë të këtij vendi, ata vazhduan të kërkojnë mekanizma se si t’i prodhojnë elitat politike shqiptare, duke infiltruar ose kapur politikanë shqiptarë nëpër parti politike shqiptare, të cilët pastaj nuk do ta bënin betejën për interesat shqiptare por do të mbeteshin strukturë amorfe në qeveritë maqedonase. Sipas asaj që e kemi konstatuar dhe që lehtë argumentohet, elitat politike maqedonase, sipas tyre, e kanë gjetur ilaçin për shqiptarët. Gjithnjë sipas tyre, ata ose gjenin shqiptarë të kriminalizuar dhe të korruptuar dhe u jepnin funksione të larta shtetërore ose e bënin të kundërtën: gjenin mënyrë se si t’i inkriminojnë dhe korruptojnë elitat politike të shqiptarëve, që më pas ato të bëhen zë i nemitur i shqiptarëve në pushtet. Me këtë veprim, ata mendonin se edhe para opinionit vendor edhe atij ndërkombëtar do të thonë se “ja ku janë përfaqësuesit shqiptarë dhe ato i zgjidhni ju vetë; çfarë t’ju bëjmë ne, që ju vetë i zgjidhni këta politikanë t’ju përfaqësojnë?!”.

Duke përdorur mekanizma të ndryshme dhe presione të mëdha, kjo metodë e përzgjedhjes dhe prodhimit të shqiptarëve, të cilët u duhen elitave politike maqedonase për t’i heshtur shqiptarët dhe interesat e tyre, u tregua i “suksesshëm”. Po them i suksesshëm në thonjëza, sepse LSDM-ja edhe VMRO-ja vërtet arritën t’i kontrollojnë shqiptarët përmes politikanëve shqiptarë të korruptuara dhe të kriminalizuar, por ato nuk e vërenin se pakënaqësia dhe revolta e shqiptarëve të zakonshëm çdo ditë e më tepër rritej në raport me partitë politike maqedonase. Shqiptarët edhe sot, pas 26 viteve pavarësie të Maqedonisë, janë të bindur se shteti në të cilin kanë lindur dhe jetojnë nuk i do ashtu siç janë, por i do të bëhen shqiptarë çfarë u duhen partive politike maqedonase. Duke pasur shqiptarë gjithnjë si pjesë të qeverisë dhe në funksione kryesore shtetërore, të cilët, për shkak të krimit ose korrupsionit, janë shndërruar në marioneta politike, ata shpesh nuk kanë treguar asnjë interes as ndaj shqiptarëve aq më pak ndaj maqedonasve dhe të tjerëve në vend. Prodhimi dhe riciklimi i figurave të këtilla politike shqiptare në funksione të larta shtetërore ka bërë që në sytë e maqedonasve ordinerë kjo të duket se shqiptarët janë qytetarë joluajalë ndaj shtetit, madje në disa raste shpesh janë shfaqur edhe si rrezik për ekzistimin e tij. Andaj, koncepti maqedonas i sundimit të shqiptarëve “sundo me politikanët shqiptar për të sunduar me shqiptarët” u tregua shumë i dëmshëm dhe destruktiv, sa për shqiptarët, aq edhe për vetë shtetin. Fatkeqësisht, elitat politike maqedonase ende nuk heqin dorë nga ky koncept. Ata ende nuk janë vetëdijesuar se kjo nuk i shërben askujt, as maqedonasve, as shqiptarëve, as qytetarëve tjerë e as vetë shtetit.
Kështu mendonte Nikolla Gruevski, kur përmes Ali Ahmetit dhe shokëve të tij mendonte se i kontrollon shqiptarët dhe kjo mënyrë e të menduarit solli që sot shqiptarët ta urrejnë më së shumti Ali Ahmetin edhe Nikolla Gruevskin, ndërsa si u reflektua kjo në shtetndërtim dhe në perspektivën e vendit kjo është më se evidente. Por, kur shqiptarët panë se Zoran Zaevi po shfaqet si një politikan tjetërfare në raport me shqiptarët, ata i besuan dhe krijuan një shpresë se koncepti VMRO-ist ka marrë fund dhe se elitat politike maqedonase e kanë ndryshuar qasjen ndaj shqiptarëve. Megjithatë sot, të gjendur para këtij programi qeverisës e aq më tepër para kësaj përbërje qeveritare, nuk ka asnjë dilemë se si duket edhe qasja e tij do të mbetet e njëjtë. Një analist i shquar shqiptar para disa kohe pati drejtuar një pyetje retorike deri te lideri i i LSDM-së, e cila, si duket, sot po merr përgjigjen e duhur. Pyetja e tij ishte: A do të jesh me BDI-në apo me shqiptarët? Dhe, për fat të keq, sot mund të konstatojmë se elitat politike maqedonase ende nuk janë gati të jenë me shqiptarët, por edhe më tej duan të jenë me BDI-në, sepse një BDI e këtillë e kriminalizuar dhe korruptuar nuk do t’i përfaqësojë shqiptarët, nuk do të shfaqet korrekte as ndaj maqedonasve dhe qytetarëve të tjerë dhe nuk do të jetë e dobishme as për shtetin, ndërsa kjo në fund do të rezultojë me urrejtje edhe ndaj Zaevit, e aq më tepër ndaj BDI-së dhe do të jetë e dëmshme aq më tepër për të gjithë qytetarët e vendit

Sinqerisht uroj që ky parashikim i imi të jetë plotësisht i gabuar. Uroj që qeveria e re të jetë e suksesshme dhe ta fitojë besimin e qytetarëve. Ne si Lëvizje BESA do të jemi këtu për ta përkrahur çdo reformë dhe proces që do të jetë në të mirën e shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë, por nëse merrni kahje tjetër, ne do të qëndrojmë përballë jush. Nëse i cenoni të drejtat individuale ose kolektive të qytetarëve të këtij vendi, do të përballeni gjithnjë me BESËN. Përfundimisht, mendoj se veprimtaria e deritanishme politike e Lëvizjes BESA ka qenë korrekte në raport me të gjitha proceset pozitive në vend dhe ne do të vazhdojmë në këtë rrugëtim, por mesazhi im deri te elitat politike dhe te gjithë opinioni në vend është se ka mbaruar koha e shqiptarëve të LSDM-së dhe atyre të VMRO-së. Nëse dikujt i duhen shqiptarë të tillë, ato mund t’i gjejë ose t’i prodhojë kur t’i duhen, por të jeni të bindur se ashtu vetëm e keni zgjatur letargjinë e shtetit, e keni rritur pakënaqësinë e shqiptarëve dhe e keni shtyrë zgjidhjen e problemit. Shqiptarët kanë të drejtë të përfaqësohen si duan vetë dhe nuk kanë nevojë për tutorë. Mund të mos i pëlqejë dikujt, por shqiptarët janë aq të dijshëm që të vetëpërfaqësohen dhe të mos kenë nevojë që dikush t’ua prodhojë përfaqësuesit.

Filmi bardh e zi ka mbaruar qëkur Lëvizja BESA ka dalë në skenën politike. Prandaj ju lutem ndërpritni etiketat e akuzat se nëse nuk jemi në njërën anë, atëherë medoemos duhet të jemi në anën tjetër. Nuk ekziston më ajo dikotomi, kuptojeni. Ne jemi këtu për të artikuluar interesat e popullit shqiptar në këtë vend, për t’i bërë ata të barabartë me të gjithë të tjerët dhe për t’i bërë qytetarë që do ta duan shtetin e tyre bashkë me të gjithë qytetarët e tjerë në këtë vend. Ne duam të ndërtojmë një shtet ku toleranca mes komuniteteve do të shndërrohet në dashuri mes tyre dhe në dashuri ndaj vendit ku jetojnë. Ne në Lëvizjen BESA këtë rrugëtim simbolikisht e kemi quajtur RIDEFNIM dhe nëse dikujt në këtë vend i duket kjo e rrezikshme dhe e dëmshme, atëherë duhet të konstatojmë se problemet nuk i kemi të natyrës politike, por të një natyre tjetër.

Lëvizja BESA ka ardhur në skenën politike për ta afirmuar dhe ndërtuar sistemin e vlerave pozitive në shtetin tonë dhe jemi munduar që këtë ta shfaqim gjatë jetës sonë të deritanishme politike. Prej fillimit e deri sot kemi qenë në krah të këtij rrugëtimi, që Maqedonia të hyjë në procesin e reformave dhe të integrimit të vendit në NATO dhe BE dhe e kemi ndihmuar me aq sa kemi mundur. Edhe në raport me votimin e kësaj qeverie ne kemi dashur t’i japim shans këtij procesi, por edhe përkundër këtij vullneti, besoni se nuk mund të shkelim mbi parimet tona. Ne nuk mund të votojmë për një përbërje të këtillë qeveritare e cila në mesin e saj ka emra të cilat jo që nuk paraqesin asnjë shpresë, por madje janë dëshmuar si emra të dështuar dhe destruktivë për shqiptarët dhe për vendin. Megjithatë, ju sigurojmë edhe juve edhe qytetarët se çdo reformë pozitive në interes të vendit dhe të shqiptarëve do të përkrahet nga Lëvizja BESA, duke dëshmuar se do të jemi konsistentë në luftën kundër të keqes dhe duke ndihmuar të mirën, ngado dhe kurdo që vjen. Për neve krimi dhe korrupsioni nuk njeh etni dhe parti.
Ju faleminderit!!!”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu