Agjenti tregon prapaskenat e dështimit të Gabigol te Interi: Zanetti dhe Icardi ishin xhelozë

Agjenti Wagner Ribeiro ka thënë se Gabriel Barbosa kishte dështuar te Interi për shkak të Mauro Icardit dhe Javier Zanettit, të cilët kishin qenë xhelozë.

Gabigol është rikthyer në formë në Brazil, ku i ka ndihmuar Flamengos që ta fitojë Copa Libertadores, për herë të parë pas 38 vitesh.

Mirëpo, sulmuesi që iu bashkua Interit në vitin 2016 nga Santosi, nuk kishte arritur të bindte me lojën e tij duke shënuar vetëm një gol në 10 paraqitje, ndërsa pas disa huazimeve, u largua përfundimisht në janar të vitit 2020.

“Kur arriti te Interi, ata bënë një festë të madhe në një teatër. Të gjithë me kravata të zeza. Një festë shumë më të madhe sesa kur kishte shkuar Kaka (te Milani)”.

“Kjo shkaktoi xhelozi te Javier Zanetti, tash zëvendëspresidenti i klubit dhe te Mauro Icardi”, ka deklaruar agjenti për Uol Esporte.

“Dy argjentinasit ishin xhelozë për të. Ai shkoi në Portugali dhe nuk shpërtheu. U kthye te Santosi dhe ishte top-golashënuesi, diçka që e përsëriti te Flamengo”, ka shtuar Ribeiro.

Ai më tej ka theksuar se Gabigol është një person shumë i përulur dhe nuk ka bërë asnjë veprim të gabuar te Interi për ta merituar mënyrën si u trajtua.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu