Ahmeti me banorët e Shipkovicës: Të mos humbim sërish mandate shqiptare

Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdoi sot fushatën në Shipkovicë, Komuna e Tetovës.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti para banorëve të kësaj ane tha se partia e tij nuk dëshiron të bëjë politikë me eufori, por të qëndrojë racionale pasi para vetes ka detyra të përgjegjësive të larta.

Ahmeti porositi banorët e kësaj ane të Tetovës se këtë herë duhet të jenë të kujdesshëm se për kë do të votojnë, pasi mandati që vjen ka nevojë për forcë politike që do të mund t’u bëjë ballë sfidave të radhës dhe me këtë të tregojmë e të bëhemi më të rëndësishëm edhe para komunitetit ndërkombëtar.

“E gjithë veprimtaria këtu është shkruar në letër dhe këtu është dëshmuar për kulturën, traditën e mikpritjen shqiptare.

Janë befasuar që të gjithë, drejtues më të mëdhenj të NATO-s dhe përfaqësues të ndryshëm politikë me këtë traditë, kur ata përshkruanin madhështinë e shqiptarëve në Shipkovicë, prandaj shqiptarët janë mirënjohës ndaj juve këtu në Shipkovicën e pamposhtur.

Janë bërë ca subjekte politike. Në vitin 2011 nga përçarjet e votave humbëm 52 mijë vota, që përkthyer në mandate ishte 6 mandate deputetësh të humbura për shqiptarët.

Tani në vitin 2016 po na përsëritet edhe më keq ky skenar, me qëllim apo jo, e vërteta është që dëmin shqiptarëve do ua bëjnë”, deklaroi Ahmeti, transmeton Tetova Sot.

Bashkimi Demokratik për Integrim fushatën do ta vazhdojë në Gostivar, ku rreth orës 19.00 do të mbahet tubimi qendror në sheshin e qytetit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu