Ahmeti kërkon që një shqiptar të prijë shtetin, reagon Shekerinska: Kur shkon në mjek, pyet a është i mirë e jo çka është

“Çdo gjë e ka një fillim dhe çdo gjë fillon me një ëndërr”. Me këto fjalë kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti nisi shpalosjen e synimit të partisë së tij për Kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Pasi renditi arritjet e shqiptarëve të Maqedonisë, duke përmendur postet udhëheqëse, ministrore të drejtuara nga shqiptarët, përfshirë edhe krye parlamentarin, tha se këto nuk mjaftojnë.

“Tani është koha për vazhdim të ëndrrës. Për ëndrra më të mëdha, sepse erdhi koha për të arritur edhe më shumë. Maqedonia e Veriut është vendi ynë. Vendi për të cilin kemi luftuar. Ne kemi një pjesë të barabartë në historinë, trashëgiminë, në ekonominë dhe në të ardhmen e vendit tonë. Tani është koha për barazi të plotë, për marrje të përgjegjësisë për të prirë! Është koha për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut!” Tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ahmeti thotë se ideja e Kryeministrit shqiptar nuk ka të bëjë me BDI-në dhe atë si kryetar; sepse siç u shpreh, ai vetëm po e shtron rrugën për realizimin e kësaj ëndrre, e për të cilën kërkon mbështetjen edhe të partive të tjera shqiptare.

Tre partitë shqiptare ASH, Besa dhe Alternativa kanë thënë se e mbështesin idenë, por dyshojnë në qëllimin e BDI-së me këtë synim, duke u shprehur se po e bëjnë për qëllime parazgjedhore nga frika e humbjes.

E pyetur për këtë çështje nënkryetarja e LSDM-së Radmilla Shekerinska, me përgjigje:

“Kur hyjmë në spital ose tek mjeku, pyesim kush është mjeku i mirë dhe jo a është shqiptar apo maqedonas. Kur hipim në helikopterë të armatës sonë, pyesim kush është piloti dhe a është i mirë, e jo a është shqiptar, maqedonas, turk apo serb. Këtë qasje kanë edhe qytetarët edhe për çështjet kryesore. Kush dhe si do t’i zgjidhë problemet dhe do ta udhëheqë këtë shtet. Prandaj çështja e kryeministrit të ardhshëm është pyetje që vendoset në zgjedhje nga qytetarët e jo në press konferenca dhe nga partitë politike,” tha Radmilla Shekerinska, nënkryetare LSDM.

Ditën e parë kur BDI bëri publike synimin e saj, partneri aktual i koalicionit qeverisës, Zoran Zaev tha se nëse kjo do të jetë kusht për koalicionin e ardhshëm, atëherë integristët do të mbeten jashtë qeverisë.

Edhe opozitarët e VMRO-DPMNE-së tashmë kanë deklaruar se kryetari i tyre Hristijan Micskoski është kandidat për mandatar.

E krahas të gjithave, kreu i BDI-së sot deklaroi se kjo ide mund të duket e parealizueshme dhe të përqeshet, por këtë e sheh si gjë të mirë sepse, siç shprehet, kur të mohohet ëndrra të bën të punosh edhe më shumë për ta arritur, andaj fjalën e tij e mbyll duke kërkuar që të mos humbet guximi për të ëndërruar, por për të besuar se ëndrrat mund të realizohen.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu