“Ahmeti nuk pranon ultimatume dhe nuk lëshon pe”, Selimi: Problemi nuk është te Artani, por te Ali Ahmeti

Ali Ahmeti nuk pranon ultimatume dhe nuk lëshon pe. Kështu deklaroi mbrëmë në Click Plus Rafis Aliti nga BDI në debatin për pakënaqësitë dhe kërkesat e “grupit të zjarrit”.

“Ali Ahmeti nuk ka lëshuar pe asnjëherë. Nuk ka lëshuar pe para ultimatumeve, por ka hapur debat çdoherë brenda partisë dhe janë marrë vendime të cilat i kemi marrë bashkë, dhe ai ka dalë në publik dhe i ka thënë. // Ne më herët që kemi qeni anëtarë të kryesisë qendrore dhe kryesisë së ngushtë, kur është marrë një vendim i kemi qëndruar mbrapa vendimit, normalisht edhe meritat edhe dështimet i takojnë kryetarit. Nëse sot e akuzojmë Ahmetin, edhe i ka meritat për fitoret në 20 vjet e fundit”, tha Rafis Aliti – BDI.

Analistët ndërkohë thonë se kërkesat e “grupit të zjarrit” janë legjitime dhe se mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë e Qeverisë.

“Ja që një debat që rrezikon qëndrueshmërinë e Qeverisë, është më i nxehtë, është në pritje më të madhe e cila tani opinionin e bën më kureshtar se si do të zhvillohen ecuritë më tutje. // mund të vendohet në pikëpyetje shumica parlamentare me një votim për interpelancë tani për zv/kryeministrin e parë z. Grubi. Po a e rrezikon qeverinë!? Dhe në situata kur kemi krizë ekonomike, rritjen e çmimeve, inflacionin e madh, rryma e shtrenjtë, te njërëzit më fukara shkakton edhe një frikë”, deklaroi Imer Selmani – analist.

Edhe Bexheti edhe Mexhiti nuk kanë pësuar ndonjë humbje në rajonet e tyre dhe kjo në një farë forme u jep legjitimitet atyre që të kërkojnë dhe të caktojnë edhe ata të bëjnë zgjedhjet kadrovike për në Qeveri. Dhe ata që janë aktual Artan Grubi dhe Bujar Osmani të dy janë nga Çairi, por nuk kanë marrë vulën e tyre“, tha Xhelal Neziri – analist.

Mos sinqeriteti të cilin unë e kam si problem me këtë grupë është se nuk thonë që problemi është Aliu. Problemi nuk është Artani, problemi është Aliu, sepse Artani është në punën e vet. Këtu është o joseriozitet o mungesë guximi për të thënë fajin e ka Ali Ahmeti”, pohoi Sefer Selimi – analist.

Rafis Aliti gjatë debatit gjithashtu tha se Ali Ahmeti ka përvojë politike dhe se të sjell një vendim të drejtë karshi kësaj situate dhe se siç shtoi, Ahmeti nuk do ta djeg jorganin për një plesht.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu