A do të kërkoni përgjegjësi nga Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoiljkoviq, për shkak se largoi nga puna shtatë të punësuar që janë nga përkatësia shqiptare. Këtë pyetje drejtuar zëvendëskryeministrit Bekim Sali ia parashtroi deputetja e Frontit Evropian Rina Ajdari, e cila theksoi se këta shtatë persona më pas janë rikthyer sërish në punë, me ç’rast ministria do të duhet të paguajë dëmshpërblim.
“Meqenëse pamë se ministri për sistem politik nuk ka të drejtë t’i largojë nga puna shtatë administratorët shqiptarë, a do të kërkoni përgjegjësi për këtë vendim. A ka vepruar ai në kundërshtim me ligjin, a është kjo e motivuar nga qëndrimet e tij antishqiptare, a mendoni se edhe të tjerë janë larguar nga puna për shkak se nuk kanë pasur mundësi ankese”, tha Rina Ajdari, Fronti Evropian.
Zëvendëskryeministri Bekim Sali nuk u përgjigj nëse do të kërkojë përgjegjësi nga Stoiljkoviq dhe vetëm shkurt tha se kjo çështje është zgjidhur dhe ata janë rikthyer sërish në punë.
“E dini se juridikisht kjo çështje është e mbyllur dhe të punësuarit janë kthyer në vendet e tyre të punës, pasi ishin të mbuluar juridikisht dhe ligjërisht. Agjencia për Administratë, në bazë të padisë, mori vendim që e drejta e të punësuarve të pranohet dhe ata të kthehen në vendet e tyre të punës. Nuk mund të supozojmë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por u themi të gjithë të punësuarve që kanë presione të tilla të llojit të mobingut t’u drejtohen institucioneve kompetente”, shtoi Bekim Sali, zëvendëskryeministër .
Arbana Pasholi nga Fronti Evropian e hapi çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe kërkoi nga ministri i Drejtësisë Igor Filkov të përgjigjet pse refuzon ta lejojë këtë, për çka BDI dje dorëzoi edhe kallëzim penal. Por ministri Filkov nuk ishte i pranishëm në seancë, për çka u njoftua se Pasholi do të marrë përgjigje me shkrim.










