Ajdari: Na montuan dhe na bënë monstrumë, por…

Bedri Ajdari nga këshilli i familjarëve të dënuar thotë se shqiptarët dhe maqedonasit e zonës asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë konflikt mes veti, por se kanë jetuar në fqinjësi të mirë. Ai beson se bëhet fjalë për një rast tragjik të montuar me qëllim e vetëm nxitjen e tensioneve për synime të caktuara. Ai bën thirrje që ankesat e tyre sa më parë të shqyrtohet nga instancat e larta gjyqësore.

“Ne si familje që jemi jashtë dhe të burgosurit që i kemi brenda, nuk e dimë ende se për se u zgjodhën familjet tona që ta mbulojmë këtë rast. Nga bisedat e përgjuara telefonike e dimë se jemi të pafajshëm, këtë në fakt e kemi ditur që nga dita e parë, por për të demaskuar këtë u desh të dilnin “bombat” (afera e përgjimeve). Edhe opozita e thotë se jemi të pafajshëm e këtë e themi edhe ne, por edhe dy vite nuk ka asnjë epilog edhe pse lënda ndodhet në Gjykatën supreme”, thotë Ajdari për REL.

Lideri i Lidhjes social-demokrate, Zoran Zaev më herët pati deklaruar se materialet që posedon nuk i ka publikuar pasi ka frikë që ky rast mund ta destabilizojë vendin, andaj edhe sipas tij i mbetet që ta hetojë Prokuroria Speciale.

“Pse nuk e kemi bërë deri më tani këtë. Nuk e kemi bërë pasi realisht kam frikë se ajo të cilës i gëzohem si fëmija i vogël mund të rrënohet, e kam fjalën për unitetin ndëretnik që kemi krijuar”, pati deklaruar Zaev duke njoftuar dorëzimin e të gjitha materialeve Prokurorisë Speciale për hetimet e të gjitha shpërdorimeve nga zyrtarët shtetëror. (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu