AK Parti mbështet kërkesën e OKB-së për gjykimin e ushtarëve të Mianmarit

Zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Turqi, Omer Çelik, tha se nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) presin plan aksional emergjent dhe efikas për të ndaluar krimet ndaj muslimanëve të Arakanit (Rohingya), duke iu referuar kërkesës së mëparshme të OKB-së për të gjykuar gjeneralët e Mianmarit për gjenocid, transmeton Anadolu Agency (AA).

Çelik shkruajti në rrjetin social Twitter se ballafaqimi i muslimanëve të Arakanit me masakra sistematike është duke vazhduar para syve të të gjitha institucioneve ndërkombëtare, duke shtuar se moskrijimi i një mekanizmi të institucioneve ndërkombëtare për të ndaluar këto masakra i ka inkurajuar edhe më shumë vrasësit.

Zëdhënësi i partisë në pushtet tha se Misioni i Pavarur Hetimor Ndërkombëtar për Mianmarin i themeluar nga OKB-ja i ka përfunduar hetimet 18-mujore dhe se raporti i përgatitur tregoi qartazi se ndaj komunitetit Rohingya është kryer gjenocid.

Në raport u kërkua nisje e hetimit për gjenocid në veri të Arakanit nga ana e zyrtarëve të ushtrisë dhe për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në shtetet Kaçin dhe Shan në veri të Mianmarit, rikujtoi Çelik.

“Raporti në mënyrë të qartë identifikon vrasje pa bërë dallime, përdhunime masive ndaj grave, sulme ndaj fëmijëve dhe djegie të tërësishme të fshatrave nga ana e zyrtarëve ushtarakë”, theksoi Çelik.

Sipas tij, raporti argumenton me prova se gjenocidi ndaj muslimanëve të Arakanit ka ngjashmëri me gjenocidet e tjera në botë për sa i përket “natyrës, seriozitetit dhe përfshirjes”.

“Çdo gjë është e qartë. Është identifikuar se zyrtarët e ushtrisë së Mianmarit kanë kryer gjenocid ndaj muslimanëve të Arakanit dhe krimi vazhdon të kryhet. Është përgjegjësi e institucioneve, me në krye OKB-në, që të identifikojnë krimin dhe të mos ngelin të kufizuar vetëm me denoncime”, tha Çelik.

“Duhet të shohim një plan aksional emergjent dhe efikas për ndaljen e këtij krimi. Ky krim gjenocidal po kryhet tanimë një vit dhe prej një viti nuk është bërë asgjë për ta ndalur. Secili dëshiron të shohë hapa për ndaljen emergjente të këtij krimi”, shtoi zëdhënësi i AK Partisë, Omer Çelik.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu