Prania e shpeshtë e dronëve pranë aeroporteve dhe bazave ushtarake ka ngritur alarmin në Belgjikë. Autoritetet kanë thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas incidentit më të fundit, të regjistruar mbrëmjen e së martës, që shkaktoi kaos mes udhëtarëve dhe shqetësime për sigurinë.
Sipas mediave të huaja, qeveria belge nuk ka bërë të ditur ende se kush qëndron pas dronëve, por shërbimet e sigurisë dyshojnë për një përfshirje ruse.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka folur për prodhimin e armëve nga Rusia. Ai tha:
“Po e përmbysim trendin e municioneve. Më parë, Rusia prodhonte më shumë municione sesa të gjithë aleatët e NATO-s së bashku. Por jo më. Në të gjithë Aleancën, po hapim dhjetëra linja të reja prodhimi dhe po zgjasim ato ekzistuese: po prodhojmë më shumë sesa kemi prodhuar në dekadat e fundit. Duhet të shfrytëzojmë këto përparime edhe në fusha të tjera, nga mbrojtja ajrore e nivelit të lartë deri te interceptorët e dronëve me kosto të ulët. Sasia ka rëndësi thelbësore.”
Të martën në mbrëmje, fluturimet hyrëse dhe dalëse në aeroportin më të ngarkuar të vendit, atë të Brukselit, u pezulluan për disa orë. Hapësira ajrore u mbyll gjithashtu mbi aeroportin e Lieges, një qendër e rëndësishme e transportit të mallrave, duke shkaktuar vonesa dhe devijime të tjera.
Këto zhvillime ndodhin në një periudhë të tensionuar mes Belgjikës dhe Rusisë, ndërsa Brukseli përballet me presionin e partnerëve të BE-së për të përdorur asetet e ngrira ruse në ndihmë të Ukrainës.










